Aktuale
Procedohet në Kuvend Projektligji për Ndërtimet pa Leje

Komisioni parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor ka miratuar Projektligjin për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje, e cili do të procedohet në Kuvendin e Kosovës, raporton Ndërtimi.info.
Projektligji me rekomandimet e grupit punues është përkrahur nga 8 anëtarë të këtij komisioni, ndërsa kundër miratimit të tij ka votuar vetëm një anëtarë.
Kryetari i Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, Daut Haradinaj ka kërkuar që institucionet të merren me uzurpatorët pronave, si dhe komunat përkatëse të bëjnë publikimin e merave tyre.
Anëtari i komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Liburn Aliu gjatë shqyrtimit të amendamenteve të këtij projektligji theksoi se nuk duhet të ketë legalizim të objektit nëse nuk është e rregulluar çështja e pronës.
“Nuk mund të ketë legalizim të objektit nëse nuk është e rregulluar çështja e pronës. Nëse pronari i ri i ka dokumentet në rregull me kohë e legalizon ose ndryshme mbetet në pronësi të vjetër ose në listën e pritjes”, tha ai.
Sipas tij, objektet e pa përfunduar lidhen me ligjin e ndërtimit dhe për këtë nëse punët nuk janë kryer nuk mund të trajtohen me ligjin e legalizimit.
Aliu ka dal kundër mundësisë së trajtimit të veçantë objekte të pa legalizuara të komunitetit serb.
“Nuk mundemi që listave të pritjes t’u japin problem etnik. Nuk mund të trajtohet në mënyrë të veçantë nëse një objekt është i komunitetit serb”, nënvizoi ai.
