Aktuale
Procedohen në Kuvend propozimet për bordin e ri të AKP-së

Komisioni për Zhvillim Ekonomik ka proceduar për në seancë propozimet për kryesues dhe anëtar të bordit të AKP-së, raporton Koha Ditore.
Qeveria më 4 dhjetor i kishte përcjellë Kuvendit vendimin me të cilin i ka propozuar Kuvendit që Bajram Zejnullahun për kryesues dhe Hajzer Salihu anëtar. Megjithatë, Komisioni për Zhvillim Ekonomik javën e kaluar e kishte shtyrë këtë pikë pas shqetësimit që kanë marrë nga Ambasada e Britanisë për mos përfshirje në këtë proces.
Ky komision ka kërkuar sqarim nga Qeveria për një gjë të tillë dhe për këtë janë dërguar disa korrespodenca që janë bërë nga ana e këshilltares politike të kryeministrit Meliza Haradinaj-Stublla dhe Agim Maraj nga Ambasada e Britanisë, të cilat i ka siguruar gazeta.
Në e-mailin e fundit, Haradinaj ka “bazuar në nenin 12 pika 1 dhe 2 të Ligjit për plotësim ndryshim të Ligjit të AKP-së, Qeveria i propozon Kuvendit anëtarët për Bordin e Drejtorëve për Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe për këtë Bord nuk zhvillohen procedurat e konkursit”.
“Për hir të korrektësisë, po e bashkangjes korrespodencën tone ku ju personalisht keni konfirmuar që në takimin e kryeministrit me ambasadorin britanik, Haradinaj ka shprehur vullnetin politik që BDO te angazhohet në rekrutimin e kryesuesit dhe bordit të AKP, duke kërkuar që ju të mos vonoheni në procedura dhe të rrezikojmë defunksionalizimin, gjë që ka ndodhë”, thuhet në e-mailin e Haradinaj-Stublla.
Kjo e-mail është bërë pasi Agim Maraj nga Ambasada përmes e-maili iu ka shkruar deputetëve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, duke iu bërë me dije se pozitat e kryesuesit dhe anëtarëve të bordit kanë qenë në listën e pozitave të dakorduara mes Qeverisë, Kuvendit dhe Ambasadës të parapara të rekrutohen me ndihmën e partnerit zbatues përmes projektit të rekrutimit.
“Përkundër kërkesës sonë zyrtare dërguar Qeverisë, Kuvendit dhe AKP-së, procesi i emërtimit/rekomandimit në këto pozita është bërë pa përfshirjen e projektit tonë”, thuhet në emailin e Marajt.
Këto korrespondenca kanë bërë që me shumicë votash Komisioni të përcjellë për në seancë emrat e dërguar nga Qeveria. Kundër vendimit kanë votuar deputetët nga opozita.

