Aktuale
Probleme në prokurim për ndërtimin e Fakultetit të Arteve në Pejë

Ndërtimi i Fakultetit të Arteve në Pejë, faza e dytë do të zvarritet. Kjo përshkak të ankesave që janë bërë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP) me pretendimet se Universiteti “Haxhi Zeka” në dhënien e këtij tenderi nuk ka respektuar nenet e përcaktuara me Ligjin e Prokurimit Publik (LPP).
Kompania N.N.P “CTA” është ankuar se Universiteti “Haxhi Zeka” për këtë tender veproi në kundërshtim me nenin 7, nenin 56, 59, 60, 68, 69 si dhe nenin 72 të LPP.
E po ashtu sipas saj Autoriteti Kontraktues nuk ka respektuar as kërkesat e dosjes së tenderit të cilat vetë i ka parashtruar.
“AK gjatë vlerësimit dhe krahasimit të tenderëve nuk ka zbatuar në përpikëri të gjitha dispozitat e Ligjit nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, i ndryshuar e plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-237, Ligjin Nr. 05/L-068 dhe Ligjin Nr. 05/L-092. Përpos kësaj AK nuk ka respektuar as kërkesat e dosjes së tenderit të cilat vetë i ka parashtruar në fillim të këtij procesi të prokurimit”, thuhet në ankesën e kompanisë, përcjellë Ndërtimi.info
Themelet e këtij fakulteti nisën vitin e kaluar, kurse këtë vit pritet që të përfundojnë punët e vrazhda në ndërtimin e këtij objekti.
Por realizimi i projektit mund të zgjatë me vite në mungesë të mjeteve buxhetore të Universitetit.
Vitin e kaluar ishin ndarë rreth 200 mijë euro, kurse ketë vit janë planifikuar 500 mijë euro tjera për realizimin e punimeve në ndërtimin e objektit, i cili pritet të kushtojë rreth 3 milionë.
Vetë rektori i Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë kishte deklaruar në muajin mars që mjete buxhetore që ka në dispozicion universiteti janë të pamjaftueshme që projekti të realizohet me kohë.
Objekti i Fakultetit të Arteve i përket projektit të kampusit universitar që pritet të realizohet në Universitetin “Haxhi Zeka”.
