Connect with us

Aktuale

Pritet të rritet buxheti për vitin tjetër, s’ka investime kapitale

Published

on

Buxheti i Kosovës për vitin 2019, sipas projektimit aktual të tij, pritet të arrijë vlerën 2.3 miliardë euro. Ky pritet të jetë buxheti më i lartë që ka pasur ndonjëherë Kosova, thonë zyrtarë të Ministrisë së Financave në Qeverinë e Kosovës.

Buxheti prej 2.3 miliardë euro, nga zyrtarët e qeverisë konsiderohet të jetë i realizueshëm, i qëndrueshëm dhe që ruan stabilitetin fiskal.

Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave, Bedri Hamza, tha për Radion Evropa e Lirë se janë duke u punuar detajet e fundit të finalizimit të projekt-buxhetit të vitit 2019 dhe se deri në fund të javës do të dërgohet për aprovim në Qeverinë e Kosovës.

Rafuna bën të ditur se projekt-buxheti i vitit 2019, prioritet i jep sistemit të drejtësisë, arsimit dhe shëndetësisë. Kurse, investimet kapitale do të adresojnë nevojat në infrastrukturë rrugore, hekurudha, në trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhim të mbeturinave.

“Qeveria, përkatësisht Ministria e Financave, konform programit qeverisës në këtë vit, prioritet do t’i jep fushës së drejtësisë, sundimit të rendit dhe ligjit, shëndetësisë dhe shtresës sociale. Buxheti për vitin 2019 do të jetë më i madhi që ka pasur ndonjëherë Kosova prej vitit 2000 dhe do të arrijë vlerën në 2.3 miliardë euro”, tha Rafuna.

“Në këtë buxhet pozitive është mbajtja e shpenzimeve kapitale në nivel shumë të lartë. Investimet kapitale kapin shifrën e rreth 775 milionë euro, ku do të adresojnë nevojat në infrastrukturë rrugore, hekurudha në trajtimin e ujërave të zeza, mbeturinat e të tjera”, tha ai.

Përderisa buxheti për vitin e ardhshëm vlerësohet të arrijë në 2.3 miliardë euro, buxheti për këtë vit ka qenë 1.8 miliard euro.

Nga ekspertë të fushës, për vite me radhë ishte vlerësuar se buxheti i Kosovës nuk ishte orientuar në drejtimin e duhur.

Infrastruktura rrugore, siç ishte ndërtimi i autostradave, ndonëse ishte cilësuar si i nevojshëm, nuk kishte ndihmuar, siç thonë ekspertët, në zbutjen e problemeve ekonomike dhe sociale të vendit.

Investime të shumta në infrastrukturë rrugore janë bërë për ndërtimin e autostradës që lidh Kosovën me Shqipërinë, autostrada që lidh Kosovën me Maqedoninë, si dhe në zgjerimin e rrugëve nacionale dhe shumë projekte tjera.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se dedikimi i buxhetit për investimet kapitale në autostrada dhe rrugë është i gabuar.

Ai thekson se edhe pse rrugët dhe autostradat janë të nevojshme për një ekonomi nacionale, nuk do të duhej që i tërë buxheti të shpenzohet në këta sektorë.

“Investimet kapitale po keqkuptohen në Kosovë pasi që kryesisht me investime kapitale po nënkuptohen vetëm rrugët. Investimet kapitale nuk janë vetëm rrugët, por janë të gjitha ato projekte që gjenerojnë të ardhura dhe kanë efektet ekonomike në një periudhë afatgjate. Ne nuk jemi kundër autostradave dhe rrugëve, por ajo që po shohim është se investimet kapitale po shkojnë vetëm në ndërtimin e rrugëve”, thekson Gashi

Ai shton se arsimi, shëndetësia dhe punësimi i të rinjve duhet të jenë prioritete nacionale në buxhetin e vitit 2019.

Kosova po ashtu, shton Gashi, ka nevojë për investime në fushën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, në subvencionimin e të rinjve me projekte dhe grante të vogla, investime në sektorin e turizmit dhe bujqësisë.

“Problematikën më të madhe e shoh shpenzimin e këtyre mjeteve në sektorin e drejtësisë ku po shpenzohen dhjetëra e qindra miliona euro dhe në fakt drejtësia në Kosovë blihet me para. Prioritet nacional do të duhej të ishte shëndetësia, arsimi dhe punësimi i të rinjve pasi që pjesa dërmuese e të rinjve janë të papunë. Një problem tjetër është sektori i bujqësisë ku po investohen miliona euro dhe keqpërdorimet janë të mëdha dhe mjetet nuk po shkojnë tek bujqit”, shton Gashi.

Shëndetësia dhe arsimi në Kosovë në vazhdimësi janë konsideruar si dy sektorët më të pazhvilluar dhe me buxhet të vogël përgjatë viteve. Por, kësaj radhe, këta dy sektorë janë futur në linjat buxhetore me prioritet në buxhetin e vitit të ardhshëm

Në kuadër të shpenzimeve kapitale që kapin shumën mbi 700 milionë euro, sipas Lulzim Rafunës, këshilltar i ministrit të Financave, Bedri Hamza, do të ketë projekte që do të zhvillohen në koherencë me reformat në shëndetësi dhe arsim, rrjedhimisht në përmirësimin e infrastrukturës në këta dy sektorë.

“Buxheti i vitit 2019 do të adresojë edhe nevojat e tjera të qytetarëve të Kosovës, por do të adresojë edhe nevojat e zhvillimit të sektorit privat. Gjatë një viti Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë shumë vendime për lirimin nga tatimi doganor, tatimi i akcizës, dhe së fundi reforma nga lirimi i tatimit mbi vlerën e shtuar dhe të gjitha këto janë të inkorporuara në buxhetin e vitit 2019, dhe përkundër të gjitha këtyre lirimeve ne kemi një buxhet më të madh se viti 2018”, thekson Rafuna.

Ndryshe, sipas Ligjit për menaxhimin e financave publike, Qeveria e Kosovës deri në fund të muajit tetor duhet të miratojë buxhetin e propozuar për të dërguar në Kuvend, i cili duhet të miratohet deri në fund të muajit dhjetor.

Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës, janë dy institucione nga të cilat varet edhe mbushja e buxhetit të vendit.

 

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending