Aktuale
Pritet rritje e kërkesës për kredi
Bankat në Eurozonë presin një rritje të kërkesës për kredi të korporatave, konsumatore dhe hipotekore në tremujorin e fundit të këtij viti, raporton Banka Qendrore Europiane në sondazhin tremujor mbi huadhënien.
Kërkesa për kredi ka qenë në rritje të qëndrueshme prej vitesh prej lehtësimit të kritereve në miratimin e kredive, nxitur kryesisht nga rritja e konkurrencës mes huadhënësve dhe financimit të lirë.
Në tremujorin e fundit të këtij viti, bankat pritet të mbajnë standardet e kreditit për korporatat të pandryshuar, por aksesi i ekonomive familjare ndaj kredive konsumatore dhe për shtëpi, pritet të lehtësohet më tej, deklaron Banka Qendrore Europiane pas anketimit të 134 huadhënësve.
Në tremujorin e tretë, standardet e kreditit për korporatat mbetën të pandryshuara, pavarësisht pritshmërive për një lehtësim, megjithatë, ka patur kushte më të lehta për kreditë hipotekore dhe huatë konsumatore.
“Presionet nga konkurrenca, perceptimet e bankave për rrezikun dhe kostot e fundeve kanë patur një ndikim pozitiv në lehtësimin e standardeve të kreditit për tremujorin e tretë 2017”, përmbledh sondazhi i institucionit në Frankfurt.
Në lidhje me ndikimin e programit të blerjes së aktiveve të Bankës Qendrore Europiane, 134 huadhënësit e anketuar kanë raportuar një impakt pozitiv në pozitat e tyre të likuiditetit dhe kushtet e financimit të tregut për 6 muajt e fundit, megjithatë, ndikimi te marshet neto të interesave ka qenë negativ.