Aktuale
Priten të gjithë drunjtë për të shtruar asfalt në Pejë

Hapësirat e gjelbërta në Kosovë jo vetëm që nuk po zgjerohen por edhe ato që ekzistojnë po shkatërrohen. Sidomos nëpër zonat e urbanizuara ku pemët dhe gjelbërimi kanë një mungesë të madhe.
Kështu ka ndodhur në Komunën e Pejës ku gjatë rikonstruktimit të rrugës përgjatë stacionit të trenit janë prerë të gjithë drunjtë, që kanë qenë të mbjellur nëpër ato hapësira.
Organizata Let’s Do It Peja, ka postuar fotografi në Facebook, ku shihen të gjithë drunjtë e prerë që kanë qenë të renditur përreth stacionit të trenit.
Ndërsa qytetarët janë irrituar nga ky veprim i Komunës duke komentuar pakënaqësitë e tyre dhe se këtë e kanë quajtur një akt të turpshëm.
Edhe Veton Mujaj, Drejtor ekzekutiv i Organizatës jo-qeveritare “Syri i Vizionit”, ka ironizuar me këtë nismë të Komunës së Pejës duke thënë se: “… kjo zonë e Pejës para disa vitesh është menduar të quhet Bulevardi i Gjelbërt … dhe siç shihet ka filluar realizimi kësaj ideje … #mosmaprekpemen”, ka reaguar Mujaj.
Kurse, Fatos Lajçi drejtor ekzekutiv i “Era Group “, e ka cilësuar si një akt të shëmtuar dhe se sipas tij në një shoqëri normale një vepër e tillë do të ndëshkohej duke u konsideruar vepër penale.
“Në një shtet normal apo komunë normale, prerja e këtyre lisave do të ndëshkohej rëndë si vepër penale. Edhe nëse plani urban e ka planifikuar këtë, është i papranueshëm për qytetarët ky akt i shëmtum”, ka shkruar Lajçi. /Ndërtimi.info


