Aktuale
Prishtinë, kthehen diskutimet për tramvajët
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, dhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kanë një plan goxha ambicioz për kryeqytetin.
Ata po planifikojnë që vitin e ardhshëm Prishtina të bëhet edhe me tramvajë.
Tramvaji planifikohet të funksionojë në linjë nga zona ekonomike në drejtim të Fushë Kosovës e deri në lagjen “Arbëria”.
Ndërkaq për mjetet ekzistuese kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti po paralajmëron ndërtimin e rrugëve të reja.
“Atë që morëm sot është gatishmëria për të financuar Rrugën A që për neve është madhore sepse në qoftë se dhe shihet nevoja që të bashke financojmë për mundësitë që i kemi ne jemi të gatshëm sepse është prioritet i yni kryesor. Por në qoftë se neve na heqet Rruga A si barrë financiare atëherë na lirohen fondet përplot rrugë tjera”, tha Ahmeti.
Kreu i Prishtinës paralajmëroi se ka fundi i javës së ardhshme pritet të vijnë edhe autobusët e rinj të trafikut urban. Gjithë këto plane Lekaj e Ahmeti u zotuan se do t’i realizojnë sëbashku për një jetë sa më të mirë të qytetarëve.
“Ne japim rëndësi të veçantë kryeqytetit të Republikës së Kosovës, Prishtinës dhe e falënderova për angazhimin, punën dhe për bashkëpunimin që kanë impkat në jetën e qytetarëve”, është shprehur Lekaj.
Krejt këto plane për investime në projekte infrastrukturore të kryeqytetit u bënë të ditura në një konferencë për medie që u mbajt në Komunën e Prishtinës.



