Aktuale
Prishtinë, komuna e FFK-ja përplasen për stadiumin

Disa lojë që ekipe të tjera futbolli pos Prishtinës zhvilluan në Stadiumin e Prishtinës kanë nervozuar kryetarin e Shpend Ahmeti.
Ai nuk pajtohet që në “Fadil Vokrri” të luajnë ekipe të huaja, derisa nuk është bërë pranimi teknik i stadiumit, të rinovuar rishtazi e më pas edhe dorëzimi tek Komuna.
Aktualisht ky objekt sportiv po menaxhohet nga Federata e Futbollit, e cila edhe po lejon që në të të luhen ndeshje kampionale siç do të jetë edhe rasti me derbin Drita-Gjilani.
“Pronari nuk po pyetet fare, nuk mund të marrin vendime për një çështje e cila është edhe çështje e sigurisë për neve edhe dëmi që është bërë në ndeshjen e fundit kur ka luajtur Prishtina me Dritën edhe dëmi që mund të bëhet”, ka thënë Shpend Ahmeti.
Kryetari FFK-së, Agim Ademi, tha se vendimi që ndeshjet Drita- Gjilani të luhen në Prishtinë u morr për shkak se ky derbi konsiderohet si shumë i rëndësishëm, për më tepër sipas tij, qyteti prej nga vijnë këto dy ekipe ka telashe me infrastrukturën e stadiumit, që e ndajnë klubet në fjalë, transmeton Klan Kosova.
Ademi i mohoi edhe akuzat e Kryetarit të Prishtinës, që tha se FFK ka filluar t’i ndajë edhe lokalet e stadiumit.
Stadiumi “Fadil Vokrri” përfundoi së rinovuar vitin e kaluar, por pro nimi teknik nuk i është bërë ende. Në Ministrinë e Sportit që investoi 9 milion euro në këtë projekt pretendojnë se i kanë dorëzuar kërkesat asaj të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e cila me rregulla është përgjegjëse për këtë çështje.
Ndërsa zëdhënësi i Ministrisë së Planifikimit Hapësinor, Leutrim Sahiti, tha se dikasteri i sportit ende nuk ka plotësuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar, sipas tij, pasi të jetë bërë kjo do të bëhet inspektimi final dhe pranimi eventual. E më pas nëse gjithçka është në rregull edhe dorëzimi tek Komuna e Prishtinës.
