Aktuale
Prishtina planifikon edhe 4 parqe si ai “1 Tetori”
Komuna e Prishtinës planifikon që në vitin 2018 të ndërtojë edhe katër parqe të ngjashme me atë “1 Tetori”.
Kështu ka thënë kryetari aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili ka premtuar se në periudhën 4 vjeçare do të ndërtohen edhe 15 parqe tjera.
“Bazuar në koston e ndërtimit të parkut të “1 Tetori”, ne kemi ndarë buxhet që vetëm gjatë vitit 2018 të ndërtojmë 4 parqe të tilla, dhe për 4 vitet e ardhshme parashohim 15 parqe të ngjashme”, tha Ahmeti.
Ai më tej prezantoi një nga zotimet brenda fushës “Lagjja jonë, me sport dhe rekreacion”, si në vijim:
1 milion në vit për fusha dhe parqe – 4 parqe rekreativo-sportive në 2018 – që në buxhetin e vitit 2018 janë ndarë 1 milion euro për parqe të reja nëpër lagje. Në vitin 2018 janë të parapara 4 parqe që do të ndërtohen në Kodër të Trimave/Arbëri, Kolovicë, Mati 1 dhe Breg të Diellit për të vazhduar në Dardani dhe Larkishte. Çdo vit do të ndahen nga 1 milion euro për parqe, hapësira sportive, etj.
Dhjetë fusha të vogla nëpër lagje – Çdo lagje i ka vendtakimet e veta sportive. Disa në gjendje më të mirë, disa në gjendje të keqe, e disa të improvizuara. Me programin e fushave të vogla do të synojmë lagjet e vogla të Prishtinës.
Themelimi i Drejtorisë së Parqeve për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e parqeve, fushave dhe lojërave për fëmijë – Përderisa po investohet shumë nëpër parqe është e qartë që mirëmbajtja e parqeve është e rëndësishme për shkak të dëmtimit të vazhdueshëm të pronës publike. Për menaxhimin më të mirë të parqeve Komuna e Prishtinës do të krijojë Drejtorinë e Parqeve që do ta ketë funksion kryesor menaxhimin dhe mirëmbajtjen e parqeve në Komunën e Prishtinës. Kjo drejtori do t’i caktojë prioritetet, do të punojë në rritjen e hapësirave gjelbëruese dhe do t’i menaxhojë ato sipas modeleve të shumë kryeqyteteve nëpër botë.