Aktuale
Prishtina nis procedurat për krijimin e shoqatave të banesave kolektive

Komuna e Prishtinës përmes një thirrje ka ftuar pronarët e banesave kolektive (ndërtesave të banimit në bashkëpronësi) të marrin pjesë në takimin e përbashkët me ç’rast do të prezantohet projekti “Krijimi i Shoqatave të Pronarëve (ShP-ve) të ndërtesave të banimit në bashkëpronësi”.
Ky projekt është i financuar nga Banka Botërore përmes Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZhE) dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) dhe zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me komunën e Prishtinës, transmeton InfoKomuna.
Në kuadër të këtij projekti, komuna e Prishtinës është zotuar për të ndërmarrë hapa proaktivë në inkurajimin e formimit të Shoqatave të pronarëve në mënyrë që ato të mund të angazhohen për të ndërmarrë masat për Efiçiencë të Energjisë në ndërtesat e tyre me qëllim përmirësimin e komoditetit dhe kursimit të energjisë.
Përmes shprehjes së interesit tanimë të hapur, projekti parasheh përzgjedhjen e maksimum tri ndërtesave kolektive në komunën e Prishtinës, të cilat do të përfitojnë:
- Asistencë në krijimin e Shoqatave të pronarëve dhe regjistrimin e tyre;
- Auditimin e detajuar të energjisë në ndërtesë që është parakusht për hartimin e projektit kryesor për renovimin e ndërtesave me theks të veçantë zbatimin e masave për kursim të energjisë: izolimi i fasadës, kulmit, dyshemesë, ndërrimi i dritareve dhe derës së hyrjes, instalimi ose përmirësimi i ngrohjes qendrore dhe të ngjashme. Auditimi do të ndihmojë të përcaktojë investimet më të dobishme në mënyrë që të reduktojë kostot e energjisë duke ruajtur ose rritur nivelin e komoditetit në banesa;
- Projektin kryesor me paramasë dhe parallogari dhe planin finaniar me koston e investimeve të nevojshme për zbatimin e masave të Efiçiencës së Energjisë dhe identifikimin e mundësive të sigurimit të fondeve për këtë qëllim;
- Përgatitjen e dokumentacionit për tenderim për masat që duhet të zbatohen si dhe përgaditjen e dokumentacionit për negocim të kontratës me punëkryesin.
