Featured
Prishtina me Spital të ri, Komuna paralajmëron projektin ideor
Komuna e Prishtinës, në vitin që vjen, do ta ketë mbi tavolinë projektin ideor për Spitalin e Prishtinës dhe pastaj menjëherë do të fillojë edhe ndërtimin e tij, ka thënë të martën drejtori i Shëndetësisë, Arbën Vitia, gjatë debatit me qytetarë në lidhje me dëgjimet dhe planifikimet buxhetore për vitin 2018.
Vitia ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës me institucionet e saj të shëndetit primar ofron shërbime për afro 500 mijë banorë, prandaj e sheh të nevojshme dhe të domosdoshme që për ta të fillojë të ofrojë edhe shërbime të shëndetit sekondar (shërbime spitalore), shkruan sot “Koha Ditore”.
Kjo ka bërë që në planifikimet e saj të fusë edhe ndërtimin e spitalit të Prishtinës i cili, megjithatë, sipas tij, do të marrë kohë derisa të ndërtohet.
Por Vitia ka pasur megjithatë përgjigje negative për disa nga kërkesat që kanë shpalosur të martën kryetarët e bashkësive të caktuara lokale të Komunës së Prishtinës, siç ishte ajo për ofrimin e shërbimeve shëndetësore nëpër qendrat e mjekësisë familjare edhe gjatë ditëve të vikendit, apo ajo për shërbimet radiologjike dhe autoambulancat.