Aktuale
Prishtina kaotike nga ndërtimet , barten sonte në skenën teatrore
“Nëse nuk largohesh nga aty, ky eskavator do të të shtypë sa hap e mbyll sytë”, thotë me zë të lartë aktori Armend Smajli. Ai dhe pesë aktorë të tjerë të hënën po bënin përgatitjet e fundit për shfaqjen “Pesë stinët e armikut të popullit”, e mbështetur mbi tekstin dramatik të dramaturgut Jeton Neziraj. Premiera e kësaj shfaqjeje, produksion i “Multimedias”, do të jepet sonte në Teatrin Kombëtar të Kosovës
Roli që ka nuk është aq i zakonshëm. Bëhet fjalë për Rexhep Lucin, arkitektin që u bë ikonë për Prishtinën me këmbënguljen e tij për t’iu vënë fre mijëra ngrehinave të betonta e shumëkatësheve që janë sot e gjithë ditën krimi i pafalshëm ndaj rregullit urban.
Në natën e 10 shtatorit të vitit 2000, një mesoburrë me mustaqe po kthehej nga një prezantim në hotelin “Grand”, ku kishte shpërfaqur strategjinë e re urbane “Vizioni 2000-2005”. Arkitekti Luci nuk do të jetonte më gjatë se ajo natë tragjike që vizionin e tij e preu me plumba. E veçanta e tij nuk ishte vetëm puna 30-vjeçare në Departamentin e Planifikimit Hapësinor në Prishtinë. Ishte nga më të zëshmit në kundërvënien ndaj ndërtimeve të paligjshme që kërcënueshëm po i aviteshin edhe qendrës historike të kryeqytetit. Ekipe të stafit komunal bashkë me studentë ishin shpërndarë gjithandej qytetit, për të cilin vlerësimet e pasluftës thoshin se i kishte 200 mijë banorë. Kamerat e tyre kishin dokumentuar më shumë se 2 mijë raste të ndërtimeve pa leje.
Në platformën skenike të sallës së madhe në TKK, regjisorja Blerta Rrustemi-Neziraj pasditen e së hënës ishte në lëvizje thuajse të barabartë me të gjashtë aktorët.
Në rolet kryesore të shfaqjes, pos Armend Smajlit dhe Egzona Ademit, luajnë edhe Shpëtim Selmani, Kushtrim Qerimi, Afrim Muçaj dhe Verona Koxha.
Me skenografi të M. Nurullah Tuncer dhe koreografi të Gjergj Prevazit, shfaqja “Pesë stinës e armikut të popullit” është mbështetur nga “The Olof Palme International Center”, “Swiss Agency for Development and Cooperation SDC” dhe “Rockefeller Brothers Fund”.