Aktuale
Prishtina ka vonesa në realizimin e projekteve
Në kontratat e lidhura në mes të Komunës së Prishtinës dhe operatorëve ekonomikë, ka vonesa kohore në realizmin e projekteve të përfshira në kontrata apo edhe skadim të kontratës pa përfunduar punimet.
Këtë e ka bërë të ditur Zyra Kombëtare e Auditimit e cila i ka treguar projektet e parapara për të përfunduar për një periudhë të caktuar kohore por të cilat ende nuk kanë përfunduar.
Projekti i Bulevardit mbi kurriz është nënshkruar në vitin 2015 me vlerë rreth 978 mijë euro dhe që ishte paraparë që të mbaronte brenda 6 muajve, por që nuk është përfunduar ende. Në fund të vitit të kaluar menaxheri i prokurimit ka propozuar që kontrata të përmbyllet, por që kjo nuk kishte ndodhur. E për shkaqet e vonesave auditori thotë se ishte menaxhimi joadekuat i kontratë, derisa për përfundimin e saj po pritet aprovimi i kryetari të Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Edhe projekti “Ndërtimi i urave në pjesën perëndimore të Unazës Qendrore” ishte nënshkruar në vitin 2016 dhe sipas kontratës duhej të përfundonte brenda 180 ditësh, por që nuk ka përfunduar ende. Deri në përfundim të vitit 2018 janë realizuar punë në vlerë 706,976€ ose vetëm 36% e vlerës së kontratës.
Po ashtu kontrata “Revitalizimi i shkallëve dhe ndërtimi i mbikalimit në lagjen Arbëria” nënshkruar me 2018, duhej të përfundonte për 120 ditë. Deri në përfundim të vitit 2018 janë realizuar punë në vlerë 102,875€ ose vetëm 22% të kontratës. Tek këto raste shkak i vonesave ishin dobësitë në projekt, thuhet në raportin e auditimit.
Kontrata “Ndërtimi i sallës së edukatës fizike në shkollën “Eqrem Qabej” ishte nënshkruar në 2014-tën sipas të cilës punët do të përfundonin për 100 ditë, por që punimet e parapara nuk ishin kryer në këtë shkollë për në atë të Barilevës. Sipas menaxherit shkak i kësaj ishte vlerësimi jo real i planit të ndërtimit.
Zyra Kombëtare e Auditimit njofton se kishte vonesa edhe në projektet “Ndërtimi i kolektorit mbi lumin Prishtina” dhe “Regullimi i Rr, “Reshat Maliqi”, “27 Nëntori” ”, dhe Te Trafoja si dhe rregullimi i infrastrukturës në rrugët “Aziz Kelmendi”, “Malush Kosova” dhe “Elena Gjika” e që vonesat ishin shkaktuar nga operatori i papaërgjegjshëm.
Auditori ka parashikuar edhe rreziqet e këtyre vonesave, shumica me përfundimin e kontratave ende pa përfunduar punët.
“Mosrealizimi i projekteve sipas planit dinamik dhe kushteve të kontraktuara, dhe fillimi i punimeve pa zgjidhur problemet pronësore, ka ndikuar në tej zgjatjen e realizimit të projekteve gjë që dëmton vet cilësinë e punimeve dhe mbi të gjitha dëmton perceptimin e qytetarëve ndaj e komunës”, thuhet në këtë raport.
Ndërsa rekomandimet që i janë bërë Kryetarit të Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, janë që ai duhet të marrë masa për të përfunduar këto projekte të cilat po zgjasin me vite. Po ashtu duhet të sigurojë se para inicimit të tyre të bëhen projektet precize, të zgjidhet çështja e shpronësimeve, në mënyrë që mos të ketë ndërprerje të punimeve dhe projektet të realizohen sipas planit dinamik. /Ndertimi.info