Arkitekturë
Prishtina e kalldërmit në mendjen e atyre që e jetuan [video]
Kushtrim Hajzeri
Rrugët e ngushta me kalldrëm, dikur identifikonin Prishtinën, por që koha i la në të kaluarën. Tani ato mund të gjenden vetëm në disa rrugica të ngushta, të cilat shumë pranë kanë kubëzat e reja apo edhe asfaltin.
Pamja e dikurshme e Prishtinës barte një lum që përshkonte gjithë qytetin, duke përfshirë edhe qendrën, në të cilën tashmë janë ndërtuar sheshe të ndryshme.
Prishtinën e ndërtesave jo shumë të larta, e rrugët me kalldrëm, vende vende me gurë, me shumë nostalgji i kujton Fevzi Sejdiu, i cili tani 65 vjet po i kalon në këtë qytet.
Duke u munduar ta kthejë kohën, Sejdiu ka rikujtuar imazhin e Prishtinës pa shumicën e ndërtesave që tani janë identifikues të qytetit.
Derisa ka thënë se i mungon qyteti i viteve të 60-ta, Sejdiu është shprehur se ka pasur mundësi që Prishtina e atyre viteve të ruhet totalisht, nëse ndërtimet e reja do të bëheshin në pjesë të tjera të qytetit, pa ndryshuar ato që ekzistonin dikur.
“Prishtina e vjetër ka ndryshuar 500 për qind. Ka ndryshuar sepse këto shtëpia, këto ndërtesa. As nuk ka qenë Grandi, te Grandi ka qenë armata, qendra e ushtrisë tonë atëherë. Pastaj, këtu është gjimnazi “Ivo Llolla Ribar”, që i kanë thënë. Gjimnazi jonë i vjetër, ai është prej krejt ndërtesave më i vjetri në Prishtinë, që është ndërtuar, për shkolla po flas. Tani, e ke më poshtë shkollën “Meto Bajraktari, e tjera shkolla nuk ka pas këtu, fakultete s’ka pas… Prej asaj kohe asgjë nuk ka mbetur. Është një rrugë aty nalt dhe një shtëpi e vjetër që ka mbetur, që e mbajë mend unë”, ka thënë ai.
E, sipas arkeologëve Prishtina është pasardhëse e qytetit të Ulpianës, e që mund të konsiderohet si njëri nga qytetet më të vjetra të Kosovës.
Gjetjet e para arkeologjike janë të kohës së neolitit, që dëshmojnë se Prishtina është vendbanim i vjetër, diku 4 mijë vjet para erës sonë.
Drejtori i Institutit Arkeologjik, Enver Rexha ka treguar për Ndërtimi.info se cilat zona të kryeqytetit i përfshinë Prishtina e vjetër, gjurmët e të cilës po mundohet të ruhen.
“Qyteti i vjetër i Prishtinës dihet se ka qenë prej shtëpisë së Mallrave, objektit të Qeverisë tani ku është sheshi Skënderbeu, e këtej dhe është bërë një zonëfikim. Ne kemi edhe xhaminë e Gurit, apo xhamia e ‘Sulltan Muratit’ që është xhamia e parë e ndërtuar në Ballkan me 1389 në Betejën e Dardanisë apo betejën e Fushë Kosovës, i vihet gurthemeli kur vritet Sulltan Murati i parë. Kjo është një trashëgimi e shkëlqyeshme me u ruajt. Do të thotë prej këtij objekti deri te Shkolla Teknike e përfshinë edhe Tregun e Gjelbër, deri te Hani i Dilit dhe Xhamia e Llapit, kjo pjesë është zonifiku në këtë drejtim dhe ndahen në zona e parë dhe zona përcjellëse”, ka thënë ai.
Ai, ka thënë se objektet e vjetra të Prishtinës i takojnë shekullit të 18-të dhe atij 19-të, siç është objekti i Muzeut Kombëtar të Kosovës. .
Sa i përket arkitekturës së objekteve të Prishtinës së vjetër, Rexha ka treguar se shumica e tyre kanë arkitekturë austro-hungareze dhe osmane.
“Sipas gjetjeve, apo objekteve që i kemi apo objektet arktiekturore më tepër kemi karakterizimin e stilit të lindjes dhe perëndimor që më shumë karakterizohemi me stilin austro-hungarez. Kemi objekte të tilla edhe në Pejë edhe në Prizren pak, në Prishtinë përveç hotel Unionit kemi këtë objekt dhe dy tri objekte tjera…. Dihet që afër 450 vjet kemi qenë të pushtuar prej Perandorisë Osmane dhe normalisht që ndikimet kanë qenë jo të pranuara në kuptimin e thjeshtë të qejfit ndoshta kanë qenë edhe të imponuara sepse ai që e ka mbajt pushtetin ai e ka mbajtur edhe në atë kuptim zhvillimin infrastrukturor apo edhe ka nda ligjin ku dhe qysh”, ka shtuar ai.
Ai, ka thënë se objektet fetare – xhamitë që janë pjesë karakterizuese e Prishtinës së vjetër, janë të vjetra nga 200 deri 300 vjeçare.