Aktuale
Presidenti Thaçi ende nuk e ka paguar kredinë për shtëpi

Po bëhet gati për të hyrë në shtëpinë e re në Çagllavicë, por Hashim Thaçi ende nuk i ka paguar borxhet që kishte marrë për ndërtimin e shtëpisë. Ai u ka borxh bankave për shtëpi edhe mbi 13 mijë euro.
Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit i kanë mbetur më pak se gjashtë muaj kohë që ta laj kredinë që e kishte marrë para rreth 9 vitesh për të ndërtuar shtëpinë e re, shkruan Ndërtimi.info
Thaçi në 2009-ën kishte marrë 100 mijë euro kredi në Bankën NLB, me kohëzgjatje prej 120 muajve.
E 1 dhjetori i 2018-ës do të jetë data e fundit kur ai do të duhet ta kthejë tërë këtë borxh, i cili tani kap shifrën prej 13 mijë e 860 euro e 16 cent.
Por, përveq shtëpisë që tashmë ka përfunduar së ndërtuari, ai ka në pronësi të përbashkët edhe një shtëpi tjetër, për të cilën ka deklaruar se e ka trashëguar. Vlera e saj kap shifrën prej 80 mijë euro.
Të parit të vendit nuk i mungojnë as tokat bujqësore. Thaçi në regjistrin e pasurisë ka deklaruar edhe një tokë bujqësore që thotë se e ka trashëguar në vlerë prej 180 mijë euro, e që ka një sipërfaqe prej 7 hektarëve.
Mirëpo, përveq kredisë, Thaçi ka edhe kogja para të gatshme nëpër banka. 139 mijë e 704 euro janë para “cash”, që i mban Presidenti nëpër banka.
Edhe të hyrat vjetore të Thaçi janë goxha të majme. Mbi 40 mijë euro i kalojnë Thaçit çdo vit në xhirollogari nga buxheti i shtetit.
32 mijë e 66 euro është paga vjetore që e merr, si President i vendit, ndërsa 9 mijë e 968 euro është shuma e parave që ka marrë, si mëditje./Ndërtimi.info
