Aktuale
“Prenk Jakova” ende pa objekt, Komuna thotë se ish-ASK-ja do të përshtatet për këtë shkollë
Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, ende nuk e ka të zgjidhur në mënyrë adekuate problemin e objektit ku zhvillohet mësimi.
Drejtoresha e kësaj shkolle, Violeta Krasniqi, tha për Radio Kosovën se tash një kohë të gjatë po përballen me mungesë të kushteve elementare për zhvillimin e procesit mësimor.
“Në këtë objekt po na mungon salla e koncerteve, klasat duhet të jenë të izoluara. Ky është kriteri elementar dhe kjo po na pengon se po dëgjohet zëri prej një klase në klasën tjetër”, ka thënë Krasniqi.
Drejtoresha tha se gjatë një takimi që kanë pasur me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i kanë shpalosur të gjitha kërkesat, përkatësisht nevojat e shkollës, por edhe më tutje nuk kanë marrë ndonjë përgjigje konkrete për këtë.
“Ne vetëm një takim e kemi pasur, ku na është kërkuar për të bërë një plan për të treguar se sa klasë na duhen dhe për madhësinë e tyre. Dhe me tutje nuk kemi ndonjë informacion se çfarë ka ndodhur”, u shpreh ajo.
E drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, i tha Radio Kosovës se projekti për rregullimin e hapësirave në objektin e ish-Shkollës Amerikane, është planifikuar në buxhetin e vitit 2020.
“Është futur në buxhet të vitit të ardhshëm dhe ajo do bëhet ‘Qendër Kulturore’ dhe në kuadër të saj do të jetë edhe shkolla e Muzikës. Ka shumë punë, se duhet të bëhen rinovime, duhet të përshtaten hapësirat e ASK-së për Shkollën e Muzikës, sepse duhet të bëhen izolimet akustike, duhet të përshtaten sallat dhe të krijohen klasat individuale”, deklaroi Shala.
Shkolla “Prenk Jakova” vite më parë e ka lënë objektin e vjetër të shkollës së tyre afër Shkollës “Elena Gjika”, me premtimin se do t’u ndërtohet objekti i ri po në atë vend. Mirëpo, punimet, ndonëse patën filluar, janë ndërprerë.