Aktuale
Premtohet publikimi i kontratës për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”

Edhe një premtim për publikim të kontratës për “Kosovën e Re” është dhënë nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.
Ai thotë se po pret miratim me shkrim nga kompania “Contour Global” që këtë kontratë ta bëjë publike. Por, Gjykata Themelore në Prishtinë ka gjetur se Ministria e Zhvillimit Ekonomike ka bërë shkelje të Kushtetutës dhe Ligjit për qasje në dokumentet zyrtare që nuk e ka publikuar kontratën për privatizimin e Distribucionit dhe “Kosovës së Re”.
Një miratim verbal që kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka morën nga drejtori i “Contour Global” për ta publikuar kontratën për Kosovën e Re, nuk u mjaftoi që ajo kontratë të publikohet. Ata presin që miratimin për publikim të kontratës, ta marrin me shkrim nga kompania amerikane.
Por ministri Lluka thotë se deri në fund të javës kontrata do të publikohet.
” Unë jam vazhdimisht në kontakt me kompaninë Countor Global, ajo është tashmë një kompani publike në tregun e Londrës, dhe ka një bord që procedura duhet të jetë në aprovim. Por këtë nuk e kam llogaritur kur, kam premtuar se do ta publikoj kontratën. Si rezultat i komunikimit, ata do të kryejnë këtë procedurë deri fund të javës që vjen”, tha Lluka.
Lluka premton se secilën kontratë që do ta nënshkruaj, do ta bëjë publike.
“Nga padia që ka bërë KOSID, do të përgjigjemi në ato që kanë kërkuar, ne do të përgjigjemi sipas Aktgjykimit të Gjykatës. Nuk besoj që do të bëjmë ankesë, edhe pse kemi 30 ditë afat. Plani deri tash është që të mos bëjmë ankesë”, shtoi Lluka.
Rinora Gojani nga KOSID, thotë se Gjykatësit i janë dashur pesë vjet që t`u japë të drejtë në kërkesën për t`i poseduar kontratat që Qeveria ka lidhur me rastin e privatizimit të Distribucionit të Kosovës së Re.
Gojani dyshon se Ministria po i fsheh manipulimet.
“Në fakt kemi pasur premtime edhe nga kryeministri dhe ministri se kontrata për Kosovën e re, do të bëhet publike, mirëpo, përkundër deklarimeve ende nuk e kemi pas. Andaj kjo na vë dyshime, a është nënshkruar kontrata, por mos ka vetëm marrëveshje mirëkuptimi e mos ka ndodh sa për shou mediatik”, tha Gojani.
Por, cilat dokumente po i kërkon KOSID?
“Ne kemi disa pika nga MZHE, e ajo është që të na jep planin zhvillimor, të KESS, raportet e investimit që janë bërë në rrjetin e shpërndarjes, që e dimë se vitin e kaluar kemi pas probleme. Po kërkojmë procesverbalet e të gjitha takimeve që janë mbajtur për Kosovën e re, edhe dy pika tjera, qasje ne ofertën finale, edhe kontratën e nënshkruar”, tha Gojani.
KOSID, gjithashtu është i interesuar ta dijë së çka parasheh marrëveshja, a do të preket buxheti i Kosovës, çka do të garantojë Qeveria, cila do të jetë norma e kthimit nga kompania, cili do të jetë çmimi i energjisë pas ndërtimit të Kosovës së Re.
