Aktuale
Premtimi i madh për Gadimen, të bëhet qendër urbane
Nisma për Kosovën ka shpalosur programin qeverisës për komunën e Lipjanit, ku zyrtarë të këtij subjekti janë zotuar se do të transformojnë fshatin Gadime në një qytezë të zhvilluar të Kosovës.
Kryetari i Nisma për Kosovën, foli rreth gjendjes aktuale në komunat e Kosovës ndërsa shtoi se me Nisma për Kosovën, komunat do të kenë zhvillimin e merituar.
“Sot është koha të zhvillojmë vendin, të hapim fabrika. Sot është koha t’i ndihmojmë bujkut në punët e tij, është koha t’i ndihmojmë ndërmarrësit, me mbështet me e ruajt prodhimin vendor, me i ndihmua me hap vende të reja të punës”, theksoi Limaj.
Kandidati i Nisma për Kosovën për kryetar të Lipjanit, Heset Sahiti ka premtuar para elektoratit në Gadime se me qeverisjen e tij, Lipjani do të marrë një pamje tjetër.
Politizimi i arsimit, sipas Sahitit, është shumë i theksuar derisa u zotua se do ta luftojë këtë dukuri. Ai shtoi se shëndetësia lë shumë për të dëshiruar dhe për këtë tha se do të ketë prioritet përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.
E prioriteti kryesor i qeverisjes së tij nëse zgjidhet kryetar komune, Sahiti thotë se do jetë zhvillimi e Gadimes me gjithë infrastrukturën përcjellëse si dhe promovimi i Shpellës së Gadimes.
“Gadimja me qeverisjen time do të jetë një qendër urbane. Gadimja nuk e meriton këtë stagnim në të cilin është sot. Janë bërë disa rrugica dhe asfaltime, por kjo nuk mjafton. Gadimja duhet të jetë një qendër urbane, një qytezë e ardhshme e Kosovës… Unë jam që ta depolitizoj arsimin… Do të krijojmë hapësira gjelbëruese, lidhjen e Gadimes me atë pjesën atje ku bëhet rekreacioni në Malin e Gadimes”, tha ai.
Po ashtu Sahiti premtoi se do të punohet në cilësi dhe zhvillim infrastrukturor të Lipjanit, përderisa premtoi edhe trajtimin e ujërave të zeza, ujë 24 orë, stadium dhe fushë të sportit.