Aktuale
Premtimet e kryetarëve dominohen nga projektet infrastrukturore

Ndërtime të shkollave të reja, ndërtime e renovime të çerdheve, ndërtime të parkingjeve nëntokësore, infrastruktura rrugore e çka jo tjetër u premtua gjatë fushatës zgjedhore në tetorin e vitit që lamë pas nga kandidatët e partive politike në komunat e Kosovës.
Por tash e katër muaj, asnjëri nga kryetarët e komunave nuk kanë filluar as edhe realizmin e një premtimi. Kështu tregojnë të gjeturat e Institutit për Studime të Avancuara GAP, shkruan Ndërtimi.info
Kryetari me më së shumti premtime del të jetë kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti me 98 premtime në mesin e këtyre 39 projekte në infrastrukturë. Ndryshe nga ky janë 9 kryetar komunash që nuk kanë dhënë asnjë premtim për projektet infrastrukturore.
Me premtimet më të mëdha pas Halitit radhitet i pari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti me 81 premtime, 22 projekte të tyre përfshijnë infrastrukturën.
Më pastaj radhitet kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini. Gjini gjatë fushatës zgjedhore ka premtuar realizimin e 78 projekteve, 49 prej tyre në infrastrukturë.
Më pastaj vijon, Imri Ahmeti kryetari i Komunës së Lipjanit. Ai premtoi 69 projekte, 34 nga to në infrastrukturë, por që asnjëra nuk ka filluar që të realizohet.
Për komunën e Prizrenit, kryetari Mytaher Haskuka, gjatë fushatës premtoi 49 projekte. Nga këto projekte vetëm 3 janë për infrastrukturë.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Ferizaj Agim Aliu, ka premtuar realizimin e 39 projekteve. Në mesin e tyre 10 të infrastrukturës, në mesin e të cilës kishte premtuar edhe lidhjen e autostradës “Arbën Xhaferi” përmes rrugës “Rexhep Bislimi me katër korsi”.
Pas këtyre komunave, radhitet kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati me 34 premtime, 5 premtime janë të infrastrukturës.
Pas tij vjen ai i Obiliqit, Xhafer Gashi, me 34 projekte, 19 prej tyre janë projekte të infrastrukturës.
Për infrastrukturën në Gjilan, kryetari Lutfi Haziri ka premtuar vetëm 7 projekte infrastrukturore. Ndërsa marrë të përgjithësuar, Haziri për mandatin 4 vjeçar premtoi realizimin e 32 projekteve.
E kryetari i Komunës së Klinës Zenun Elezaj, ka dhënë vetëm një premtim në infrastrukturë atë të ndërtimit të një fushe ndihmëse për Klubin Futbollistik “Dukagjini” me ndihmën e donacioneve dhe qeverisë. Ndërsa në total ai ka premtuar që për gjatë kohës sa ai do ta qeverisë këtë komunë do të realizoj 29 premtime.
Me më pak premtime se kryetari Elezaj, është kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri. Ai ka premtuar 25 projekte, 2 prej tyre në infrastrukturë.
Ndërsa kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci në mesin e vetëm 24 premtimeve, ka premtuar 9 projekte që i përkasin infrastrukturës. Por as në këtë komunë sipas GAP nuk ka filluar realizmi.
E për Istogun, Haki Rugova ka premtuar 24 projekte, 11 projekte prej tyre janë në infrastrukturë.
Edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi pati premtuar 24 projekte, ku 4 nga to janë infrastrukturë.
Ndryshe nga komuna e Vushtrrisë dhe e Drenasit, kryetari i Komunës së Junikut Agon Kuçi ka premtuar 15 projekte në infrastrukturë. Ndërsa në total ka premtuar realizimin e 22 projekteve.
22 projekte i kishte paraparë edhe Ragip Begaj për Komunën e Malishevës. Që 8 prej tyre janë në infrastrukturë.
Tutje, kryetari i Komunës së Suharekës Bali Muharremaj ka premtuar realizimin e 20 projekteve, 6 prej tyre në infrastrukturë.
Për Komunën e Shtimës, Naim Ismaili ka paraparë 19 projekte, 6 prej tyre në infrastrukturë.
Jo pak e rëndësishme, por gati se e fundit, kryetari i Komunës së Pejës Gazemend Muhxheri ka premtuar 17 projekte, 9 prej tyre në infrastrukturë.
Më pas vjen Refki Suma, nga Hani i Elezit ka premtuar 6 projekte të infrastrukturës, ndërsa në total 16 projekte.
Kurse kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, ka synuar që përgjatë kohës sa ai do të qeverisë komunën do të realizoj 13 projekte. Ndërsa për sa i përket infrastrukturës ka paraparë 7 projekte.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka premtuar 9 projekte, 5 prej tyre infrastrukturë.
Gjithashtu bazuar në hulumtimet e GAP, Besim Ilazi ka premtuar 8 projekte për Komunën e Kaçanikut, 3 prej tyre në infrastrukturë. Pra, propozimi i një strategjie pesë vjeçare për menaxhimin e mbeturinave, vazhdimin e restaurimit të stadiumit të qytetit të Kaçanikut, faza e dytë me ndihmën e MKRS.
Ndërsa, Bozidar Dejanovic kryetari i Komunës së Kllokotit, Zoran Todiq kryetari i Komunës së Leposaviqit, Abdullah Krasniçi kryetar i Mamushës, Goran Rakiq nga Mitrovica Veriore, Svetislav Ivanoviq të Komunës së Novobërdës, Dragan Nikolic Partesh, Vladica Artinovic Ranillug, Bratisllav Nikolic-Shtërpcë, nuk kanë dhënë premtime kjo meqë kandidatët në zgjedhjet lokale të fundit nuk kanë zhvilluar fushatë aktive në terren dhe nuk kanë pasur programe zgjedhore.
