Aktuale
Policia sekuestron banesa, vila e mjetet luksoze të “boss-ave” të krimit
Policia e Shqipërsië ka sekuestruar vila, njësi tregtare dhe automjete, të dyshuara si pasuri me burim të dyshimtë kriminal.
Bazuar në planin e masave operacional ‘Vjeshtë 2017”, të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për forcimin e masave për goditjen e grupeve kriminale dhe identifikimin, gjetjen, kapjen me qëllim sekuestrimi, konfiskimi dhe rikuperimi të aseteve kriminale, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, 12 drejtoritë vendore të Policisë kanë marrë masa të posaçme opracionale.
Si rezultat i veprimeve të deritanishme, nga strukturat vendore të Policisë në Drejtoritë e Policive Tiranë, Vlorë, Lezhë dhe Berat, rezulton se janë referuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda disa raste për procedim pasuror në ngarkim të personave të dyshuar për aktivitet kriminal ne fushën e krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.
Janë evidentuar si pasuri të dyshuara si janë krijuar, rrjedhin apo lidhen me veprimtarinë kriminale, apo që lidhen me to dhe që nuk justifikohen me burime të ligjshme dhe përcjellë Prokurorisë për hetime të mëtejshme në lidhje me origjinën e tyre pasuritë: 9 njësi tregtare, 8 banesa apartamente në sipërfaqe totale 678 m2, një vilë trekatëshe,
15 automjete luksoze me vlera monetare të konsiderueshme.
Aktualisht vijon puna në të gjithë territorin e vendit për goditjen e pasurive të tjera të dyshuara si kriminale.


