Aktuale
Podujevë, telashe me pronën e shtëpisë së jetimëve

Dy vite më parë menduan që e hoqën gajlen e banimit. Por kjo shtëpi e ndërtuar në Podujevë për dy jetimët Agnesën 14 vjeçe dhe Agonin 9 vjeç rrezikon të shembet nga pronari i tokës. Ky i fundit u paraqit muaj më parë nga Serbia. Kështu po del se edhe qëndrimi në shtëpinë e vjetër por edhe ndërtimi i të resë është bërë pa lejen e tij.
“Ai nuk ka ardh kurrë prej atje, tash ka ardh edhe po thotë ja paguane ja dilni prej këtu se ua rrëzoj shtëpinë”, tha nëna e jetimëve.
E vendimin për ndërtim në këtë tokë e kishte marr halla e jetimëve Naime Shala e cila me burrin e saj si kujdestar legal të fëmijëve kishin siguruar ndihmën e donatorëve dhe më pas kishin kaluar dhe vetë në shtëpinë e re nga strehimi në kontejnerë në lagjen e Kuvajtit.
Tani pronari i tokës po kërkon 25 mijë euro për truallin e tij. E afat për ta liruar pronën këta kanë deri me 1 maj.
Por në fakt dy jetimët gëzojnë një copë tokë në vendlindjen e babait në Konushevc të Podujevës ku babi kishte nisur ndërtimin e një shtëpie por që në atë botë u ndërpre në pamundësi të financimit.
Mirëpo kur paratë u siguruan, halla me jetimët zgjodhi që shtëpia e re të ndërtohet në Podujevë në tokën e serbit.
“Që 18 vite këtu kanë ndejt, e fëmija nuk donin të shkonin diku tjetër”, tregoi nëna.
Edhe donatorët shprehen dëshirën të ndërtonin shtëpinë në Konushevc ose në lagjen e Kuvajtit por hasen në kundërshtimin e kujdestarëve të fëmijëve.
Babi kujdestar Abedini dhe dajtë e fëmijëve kishin marr barrën përsipër nëse kthehet pronari i pronës.
Por tash kur pronari u lajmërua ata nuk e kanë shumën e kërkuar.
Klan Kosova ka kontaktuar edhe me dajën e fëmijëve dhe ai nëpërmjet telefonit ka thënë se deri më tani kanë mbledhur vetëm 5 mijë euro.
Klan Kosova nuk kanë mundur të kontaktojë me pronarin e tokës për ta konfirmuar tërë këtë situatë.
Ndërkohë, zyrtarët komunal i kanë thënë televizionit se nuk marrinë përgjegjësi lidhur me rastin pasi ndërtimi i shtëpisë është bërë pa dijenin e tyre.
