Aktuale
Podujeva në vitin 2019 do të ketë në dispozicion një buxhet mbi 22 milionë eurosh

Kuvendi i Komunës të Podujevës ka miratuar Projektbuxhetin për vitin 2019 dhe parashikimet për periudhën 2020-2021.
Po ashtu ka shqyrtuar peticionin e banorëve të disa fshatrave lidhur me ndërtimet e dy mini hidrocentraleve në territorin e kësaj komune, bëhet e ditur nga Zyra për marrëdhënie me publikun dhe informim.
Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, tha se projektbuxheti komunal për vitin e ardhshëm parashihet të jetë 22,032,619.00 euro. “Kjo strukturë buxhetore është e përbërë prej dy burimeve: nga Grandi Qeveritar në shumën prej 20,444,444.00 euro dhe nga të hyrat vetjake në shumën prej 1,588,175.00 euro”, sqaroi Latifi .
Ndërsa përfaqësuesit e subjekteve në pushtet mbështeten projektbuxhetin për vitin 2019, ato të opozitës e quajtën keq të planifikuar.
Kuvendi me shumicë votash miratoi Buxhetin e Komunës së Podujevës për vitin 2019 dhe parashikimet buxhetore 2020-202.
Lidhur më këtë çështje, drejtori i Drejtorisë së Planifikimit Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Hamdi Jaha, informoi Kuvendin lidhur me peticionin e banorëve të cilët kundërshtojnë ndërtimin e dy mini hidrocentraleve përgjatë rrjedhës së lumit Llap në Murgull dhe Brecë. Siç tha ai, me Planin Zhvillimor Komunal atje nuk është paraparë ndërtimi i hidrocentraleve. “Sapo të marr nga kompania kërkesën për ndërtimin e hidrocentraleve do ta shqyrtoj atë dhe nuk do të lëshoj leje ndërtimi nëse ky projekt bie në kundërshtim me ligjin dhe nëse kundërshtohet nga banorët e asaj zone”, tha ai.
Nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, tha se Komuna është e hapur për investime, por në radhë të parë të mbrojë interesin e qytetarëve të saj.
