Aktuale
Podujeva ende s`e ka kontraktuar kompaninë për mirëmbajtjen e rrugëve
Zyrtarët komunalë të Podujevës ende nuk e kanë kontraktuar kompaninë për mirëmbajtjen e rrugëve nga bora. Procedurat e prokurimit që i kanë shpallur sivjet parashohin që deri më 31 dhjetor operatorët ekonomikë kanë afat për dorëzimin e ofertave.
Marrë parasysh afatin e ankesave dhe shqyrtimin eventual të tyre, këto procedura mund të zgjasin edhe më tutje. Në platformën e E-prolurimi, shihet se data e njoftimit të kësaj procedure të prokurimit për “mirëmbajtjen e rrugëve dhe trotuareve gjatë sezonit dimëror 2020-2021” është 22 nëntor 2019. Lloji i procedurës është i hapur, ndërsa vlera e parashikuar për këtë tender është 205 mijë euro.
“Afati i dorëzimit të ofertave-kërkesës për pjesëmarrje është 31.12.2019”, thuhet në E-prokurimi.
Megjithatë, zyrtarët komunalë thonë se gjatë kësaj periudhe, derisa të përzgjidhet operatori i ri, do të kujdeset kompania që është kontraktuar para dy vjetësh. Zëdhënësi Nazmi Elezi pret që procedurat e prokurimit do të përfundojnë me kohë.
“Tenderi për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit ka qenë dyvjeçar, kurse operatori i përzgjedhur ka kontratë për mirëmbajtjen e rrugëve deri në mesin e muajit janar të vitit 2020.
Aktualisht është në procedurë të prokurimit tenderi për përzgjedhjen e operatorëve për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit në periudhën e ardhshme dyvjeçare. Procedurat do të përfundojnë me kohë dhe do të përzgjidhen operatorët, meqë do të jenë dy operatorë që do t’i mirëmbajnë rrugët”, ka thënë Nazmi Elezi.