Aktuale
Podujeva do bëhet me shesh e përmendore

Një hapësirë prej 14 mijë e 500 metrash katror është rezervuar për bulevardin e Podujevës, të quajtur “Sheshi i Dëshmorëve”. Bulevard ky që sipas zyrtarëve të kësaj komune do të listohet në mesin e shesheve më bukura të Kosovës.
Drejtori i Drjetorisë për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Hamdi Jaha, për Ndërtimi.info ka treguar detajet se si do të ndërtohet bulevardi “Sheshi i Dëshmorëve”.
“I gjithë sheshi do të jetë i mbyllur e do të jetë i ndërtuar me pllaka nga guri ose mermeri, ku do të vendosen edhe disa përmendore” , është shprehur Jaha.
Kurse, në pjesën e përparme dhe në mes do të ketë rrejt të kanalizimit, kjo për shkak të dy ujëvarave që planifikohen të ndërtohen aty.
Në sheshin për të cilin janë ndarë hiç më pak se 3 milionë euro(3.233.887.25) do të ketë edhe statuja dhe dekorime të tjera.
“Do të ketë edhe statuja dhe dekorime të tjera”, ka thënë tutje Jaha.
Edhe fëmijët do të mund ta gëzojnë sheshin që do të ndërtohet. Veç gjelbërimit, aty janë paraprë të vendosen lojërat për fëmijë.
“Në brendësi të sheshi do të ketë lojëra për fëmijë dhe hapësira të gjelbëruara, ku edhe do të ndërtohen përmendoret”, është shprehur tutje Jaha.
Ky projekt ishte paraparë edhe viteve të mëhershme të realizohej por kishte dështuar 2 herë rradhazi. Në vitin 2017 për ndërtimin e tij ishin ndarë 1 milion euro, të cilat më pas ishin rialokuar për asfaltimin e disa rrugëve. E kjo gjë ishte përsëritur edhe në 2018-tën ku rreth 700 mijë euro ishin rialokuar në ndërtimin e disa rrugëve në qytete e fshatra të komunës së Podujevës /Ndërtimi.info/
