Aktuale
Podujeva dhe GIZ-i së bashku në menaxhimin e mbeturinave të ngurta

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot në një takim Kai Hofmann – menaxher i Programit GIZ, me të cilin ka nënshkruar një Memorandum të bashkëpunimi në fusha të ndryshme.
Në kuadër të thellimit të bashkëpunimit të Komunës së Podujevës me Shoqërinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu ka pritur në takim menaxherin e Programit për Shërbime të Qëndrueshme Komunale të GIZ, Kai Hofmann, raporton InfoKomuna.
Me këtë rast kryetari Veliu dhe menaxheri i Programit GIZ, Hofmann, kanë nënshkruar Memorandum bashkëpunimi në fushën e planifikimit dhe pilot projektet e menaxhimit të mbeturinave të ngurta si dhe reformat institucionale dhe administrative.
Kryetari Veliu u shpreh i kënaqur me marrëveshjen e nënshkruar, e cila në fushën e planifikimit dhe pilot projektet e menaxhimit të mbeturinave të ngurta përfshinë caktimin e tarifave (llogaritjen e kostos, caktimin e modelit të klientëve dhe caktimin e tarifave); zgjerimin e shërbimeve të mbledhjes së mbeturinave; riorganizimin e shërbimeve të mbledhjes së mbeturinave në qendër të qytetit të Podujevës dhe hartimin dhe zbatimin e Planit Operativ.
Ndërsa, reformat institucionale dhe administrative përfshijnë modelin e operatorit; krijimin e një njësie/emërimin e një zyrtari për menaxhim të mbeturinave dhe përforcimin e inspektoratit.
Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar Komuna e Podujevës dhe GIZ do t’i bëjnë të gjitha përpjekjet për tu siguruar që anëtarët e personelit që angazhohen në kuadër të këtij bashkëpunimi të jenë të standardeve më të larta të efikasitetit, kompetencës dhe integritetit.
