Aktuale
Po hulumtohen pasuritë nëntokësore të fshatrave në veri

Banorët e Vllahisë janë ankuar se persona që prezantohen si të huaj, por që flasin serbisht kanë shkuar në Vllahi për të hulumtuar, siç thonë ata, për nëntokën e Vllahisë dhe të Zjaçës, në të cilat deri më tani janë bërë 37 shpime hulumtuese që kanë rezultuar me rezerva të mëdha të mineraleve të çmueshme për tregun ndërkombëtar, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Ideja e shkëmbimit të territoreve dhe e korrigjimit të kufirit me Serbinë, të cilën e promovon presidenti Hashim Thaçi, vazhdon të mbetet shqetësim i madh për shqiptarët e pjesës veriore të Kosovës. Me gjithë kundërshtimet banorët e fshatrave shqiptare, Vllahi, e cila i takon komunës veriore të Mitrovicës, por edhe të fshatrave Kelmend, Boletin, Zhazhë, Koshtovë, Bistricë e Cerajë, që u takojnë komunave Zveçan e Leposaviq, jetojnë me frikën se vërtet do të vijë deri te shkëmbimi i territoreve, që nënkupton që komunat veriore t’i kalojnë Serbisë bashkë me fshatrat shqiptare.
Banorët e Vllahisë, të cilët vazhdimisht potencojnë se e ndiejnë veten si pjesë e komunës jugore të Mitrovicës, janë ankuar se ditëve të fundit fshatin e tyre e vizitojnë njerëz të panjohur, të cilët prezantohen si të huaj, por që flasin serbisht. Ata kanë takuar nënkryetarin e Mitrovicës Faruk Mujkën, të cilit ia kanë shprehur shqetësimet e tyre, por edhe i kanë kërkuar që të ndërmarrë hapa për ta hulumtuar situatën, e cila mund të jetë, siç thonë ata, “fatale” për ta dhe fshatin e tyre.
