Aktuale
Po e humbim edhe Menzën e Studentëve, stiropori po e pushton

Ekspansioni i investimeve në krahinën e atëhershme të Kosovës, që lundronte me shumë vështirësi deri në mes të ’70-ve në Federatën ish-Jugosllave, filloi në vitin 1973. Spikateshin objektet e mëdha sikur Hotel Grandi, Banka Qendrore, Instituti Albanologjik, e shumë objekte tjera, ndër to edhe Menza e Studentëve.
Disa prej këtyre ndërtesave pasluftës në Kosovë janë tjetërsuar. Ndërtesa e ish-Rilindjes, një pjesë e Hotel Grandit, Fakulteti Teknik patën fatin e trisht. Ky fat i trisht iu ka kanosur edhe Menzës së Studentëve, që tashmë përmbi ka stiropor në disa pjesë të saj.
Shkruan: Uran Haxha
Nga mesi i viteve të ’70-ta është ndër periudhat më produktive në spektrin e lënjës së vazhgave të arta arkitekturore në Kosovë. Arkitektë me nam botëror projektonin për Prishtinën. E ndërtesa e Menzës së Studentëve, ishte përmendur edhe në revistën “Arhitektura” më 1981, në një shkrim të arkitektit kroat Andrija Mutnjakoviq (arkitekt i Bibliotekës Kombëtare) si një prej ndërtesave më domethënëse për arkitekturën moderne të Kosovës.
Kjo ndërtesë karakterizohet si një prej ikonave arkitekturore të peizazhit urban të Prishtinës së shekullit XX. Atributet e saj arkitekturore, të vlerësuara nga një komision profesionistësh, ndërlidhen me jetesën dhe krijimtari mbi 40-vjeçare të popullatës dhe studentëve për zhvillimin e vendit të tyre si mjedis jetësor cilësor, të qëndrueshëm, të sigurt dhe paqësor.
Kohët kaluan dhe kjo ndërtesë mbeti e njëjtë në pamjen e jashtme. Brenda pati investime të ndryshme mes kohësh që kaluan që nga funksionalizimi i saj. Qindra mijëra student aty kanë ngrënë ushqim, teksa kanë zënë fill edhe ide apo edhe edhe shkase për të filluar protesat, sikur ajo e 1981.
Tek në vitin 2018, Menza e Studentëve u ra ndërmend Bankës Botërore bashkë me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, që të investohej në të. Projekti u realizua dhe po prisnin që të fillohej puna. Komuna e Prishtinës e pa të arsyeshme që të krijojë një komision për të analizuar këtë ndërhyrje. Komisioni përbëhej nga tre arkitektë ekspertë: Arbër Sadiki, Gjejlane Hoxha dhe Kujtim Elezi.
Ata vlerësuan se nuk janë përmbushur kriteret ligjore dhe standardet profesionale për lejimin e punimeve. Në bazë të këtij raporti, të cilin e ka siguruar Ndertimi.info, gjendja teknike dhe nevoja për ndërhyrje në këtë ndërtesë është evidente.
“Bazuar në observimin e gjendjes faktike, ndërtesa e Menzës së Studentëve paraqitet në shkallë të lartë amortizimi të elementeve të fasadës, të mbulesës dhe izolimit të kulmit dhe dritaret e hapjeve masive të ndërtesës, këto si ura termike kryesore”, thuhet në raport. Aty më tej potencohet se sistemi i ngrohjes së ndërtesës përbëhet nga trupa ngrohës të dimensioneve dhe teknikës së papërshtatshme për kubaturën e hapësirave të enterierit që duhet të ngrohet.
Mirëpo fatkeqësia po ndodh pasi fasadën me betonarme po e mbulon stiropori, duke ia humbur autencitetin e saj. Kështu që plani detal i paraqitur për lejen ndërtimore me qëllim riparimi të kërkesave për eficiencë të energjisë ofron zgjidhje të papërshtatshme që rrënjësisht ndryshon pamjen e jashtme të arkitekturës origjinale të ndërtesës, “duke ndikuar në transformim të palejuar sipas prakitkave dhe standardeve profesionale për konservimin dhe ruajtjen e trashëgimisë arkitekturore”, thuhet në këtë raport të përpiluar nga ekspertët Arbër Sadiki, Gjejlane Hoxha dhe Kujtim Elezi.
Sipas normativës ligjore në fuqi dhe praktikave të konservimit të qëndrueshëm të trashëgimisë arkitekturore/kulturore, padyshim mundësohet ruajtja e autenticitetit dhe përmirësimi i ndërtesës me përfitime në aspektin fuksional, estetik, mjedisor, të komforitetit dhe ekonomik. Në raport thuhet se “Arritja e qëlimit të specifikuar kërkon 1) studim, njohje dhe vlerësimin e të gjitha elementeve përbërëse që formësojnë autencitetin e ndërtesës dhe 2) propozim të konceptit ideor kreativ me mundësitë dhe mënyrën e përshtatshme të ndërhyrjes për një ndërtesë të sigurt, të qëndrushme dhe të dobishme që garanton ruajtjen e autenticitetit apo karakterin dhe interesin e saj të veçantë”.
Si përfundim, ky komision nëpërmes raportit të përpiluar, jep rekomandimet që kanë qëllim: kthimi në identitet dhe mbrojtja e identitetit. Propozimet e këtij komisioni i shihni në faksimilet e raportit, në fund të këtij teksti.
Si rrjedhojë e këtij raporti, Komuna e Prishtinës nuk ka dhënë leje për punë, duke e refuzuar. Kjo është konfirmuar nga Komuna e Prishtinës për Ndertimi.info. Mirëpo, aty po punohet. Jo-zyrtarisht u tha për Ndërtimi.info se inspeksioni do t’i ndalojë punimet.
Në anën tjetër, Qendra e Studentëve të Prishtinës që ka në menaxhim të plotë Menzën e Studentëve nuk i është përgjigjur interesimit të Ndërtimi.info, as pas tri ditësh pritje. Njëjtë ka ndodhur edhe me Bankën Botërore dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, si të implikuar në këtë projekt.
Në këtë gjendje, ajo që mund të shihet është se tjetërsimi dhe humbja e autenticitetit të Menzës së Studentëve po ndodhë para syve të ekspertëve, institucioneve dhe askush s’po lëviz. Normal që as komisioni dhe askush tjetër nuk i kundërshton ndërhyrjet për të përmirësuar gjendjen e ndërtesës së Menzës së Studentëve, mirëpo sipas rregullave.
Hipotetikisht mund të ndodhë që një ish-student të vijë pas 10 vjetësh në Prishtinë dhe të hasë në dyshime se a është kjo menza a jo.
Faksimilet e raportit:
