Aktuale
Po bëhet gati një tender i madh në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë
Kosova ka pasur rënie të investimeve direkte në zëra jo të vegjël, mirëpo një dashamirësi dhe një “dashuri” e Qeverisë Haradinaj vërehet drejt krijimit të Zonave Ekonomike.
Disa e disa zona do të shtrihen në vende të ndryshme të Kosovës, sikur Gjakovë, Malishevë, Skenderaj, Kamenicë, Ranillug e vende tjera.
Në lidhje me këtë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka publikuar një njoftim paraprak tenderi në lidhje me punët që do të bëhen për përgatitjen e zonave ekonomike në Malishevë, Skenderaj, Kamenicë dhe Ranillug.
Vlera e parashikuar e këtij tenderi është 1.5 milion euro, shkruan Ndërtimi.info.


E krijimi i zonave ekonomike në pothuajse çdo komunë të Kosovës, nga ekspertë të fushës ishte konsideruar gati i panevojshëm në një treg si Kosova. Kjo për shkak se në aspektin territorial Kosova do të mund të funksionote edhe vetëm si një zonë e lirë ekonomike.
Në qershor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës pati miratuar formimin e Zonës së veçantë Ekonomike në Komunën e Gjakovës.
Haki Shatri, këshilltari për ekonomi i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, pati deklaruar se po punojnë për vënien sa më të shpejt në funksion të zonës ekonomike.
Ngjajshëm për zonat ekonomike pati folur edhe Kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, i cili ishte shprehur se ka interes që bizneset të vendosen në atë zonë, në Malishevë, sipas tij të lënë anash./Ndërtimi.info/



