Aktuale
Platforma për rindërtimin, Rama: Garantojmë banesa cilësore, ftoj opozitën të denoncojnë abuzimet
Është prezantuar këtë të dielë nga kryeministri Rama dhe Ministri për Rindërtimin Ahmetaj, platforma online për rindërtimin e banesave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se askush nuk do të lihet mënjanë, qoftë ata që kanë pësuar dëme të mëdha nga tërmeti, por edhe ata qytetarë që më 26 nëntor kanë pësuar dëme më të vogla. Rama deklaroi gjithashtu se qeveria ka punuar çdo ditë mbi këtë proces dhe se do të garantojë ndërtimin e banesave antisizmike por edhe cilësore.
Kryeministri shtoi se të gjithë qytetarët do të kenë akses për të parë se në çfarë faze është ndërtimi i banesave në rindërtim apo edhe i gjithë zonës ku ata jetojnë.
Më tutje Rama paralajmëroi të gjithë punonjësit që do të përfshihen në proces, duke thënë se kushdo që kapet duke bërë ‘qoka’ për njerëz që nuk janë dëmtuar nga tërmeti, do të penalizohet rëndë.
Në fund të fjalës së tij, Rama e dha një mesazh dhe për opozitën, duke kërkuar ndihmë në denoncimin e rasteve abuzive.
Rama: Ministri e tha, programi nuk adreson vetëm ata që kanë humbur strehën por edhe të tjerët që janë dëmtuar nga tërmeti. Në baz ëtë shkallës së dëmtimit, shkallët janë përcaktuar në bashkëpunim me ekspertët ndërkombëtarë. Ata do të marrin një masë të caktuar dëmshpërblimi. Ne nuk duam të lëmë vetëm askënd që është prekur nga tërmeti.
Aspekti ligjor është adresuar plotësisht dhe tani proceset janë futur në rrugë paralelisht, do të thotë që për të rindërtuar ne nuk mund të sillemi si individët që ndërtuan pa leje në vitet e mëparshme. Ne kemi nevojë për të planifikuar jo vetëm në bazë të ligjit por në bazë të të gjithë komponentëve teknikë.
Përtej aspektit të bazës ligjore dhe planifikimit, ekziston aspekti i parametrave të ndërtimit. Ne do të garantojmë që banesat e reja të jenë antisizmike dhe që nëse larg qoftë, në të ardhmen ndodh një lëkundje e fortë, banesat të jenë më rezistence, por nga ana tjetër, që këto shtëpi të garantojnë dhe cilësi jete.
Mjafton që familja të bëjë aplikimin dhe të marrin një kod dhe nga Smartfoni do të mund të ndjekë se ku është projekti i vet.
Do të ndëshkohen të gjitha raste kur do të identifikohet se në procesin e rivlerësimit janë futur familje që nuk e meritojnë. Ky nuk është një proces për të bërë qoka apo për të strehuar njerëz, është një proces për tërmetin.
Brenda vitit 2021 nëpër shtëpia, kjo të jetë realitet. Këtë duam të bëjmë.
Po jo vetëm kaq, se njerëzit harrojnë. Harrohet se para disa kohësh kishte vetëm vrima dhe popuj tek vrima. Një vrimë dhe një popullatë atje, për të paguar dritat, për të marrë një copë letër. Sot ka vrima, ka rradhë, por brenda vitit 2020 nuk do të ketë më as vrima e as rradha.
Se e keqja harrohet shpejt. Do t’jua kujtojmë Thumanën e shkatërruar dhe atë të rindërtuar.
Në mbyllje, edhe njëherë dua t’ju them juve që jeni këtu, ju lutem shumë mos i hyni në hak askujt. Mos hyni në gjynah. Bëjeni këtë punë njëlloj sikur të ishit ju pa shtëpi dhe mos merrni iniciativa individuale për të regjistruar si të pastrehë njerëz që nuk janë prekur nga tërmeti, sepse do të ndëshkoheni.
Dua t’i qëndroni mbi kokë këtij procesi sepse regjistri elektrionik i familjeve të jetë shembullor dhe ndarja e shkallëve të dëmit të jetë e drejtë. Jo ai që duhet të marrë kompesimin për një dëm të lehtë, të futet në një rast ku merr më shumë.
Ne kemi ndërtuar një grup që nuk e njeh asnjeri, që do të bëjë testime dhe kontrolle. Këtu e ftoj opozitën, që të dali dhe të vërë ulërimën për çdo rast spekulimi individual. Kjo do të thotë që i ftoj që të na shurdhojnë me shpifje, por në mes të shpifjes, siç ka ndodhur në të shkuarën, do kemi mundësi të gjejmë ndonjë të vërtetë. Jam i gatshëm të duroj një furi shpifjesh qëoftë edhe për një rast të një familje që nuk është trajtuar apo është keqtrajtuar në ktë proces.