Aktuale
Plani Zhvillimor i Pejës merr pas katër muajve pëlqimin nga MMPH-ja
Komuna e Pejës kishte besuar që gjatë muajit maj të dërgojë në diskutim publik draftin final të Planit Zhvillimor Komunal (PZHK), pasi ky dokument ishte miratuar nga Kuvendi Komunal në fund të muajit prill.
Mirëpo, diskutimi publik për këtë plan nuk është mbajtur as në qershor e as nuk do të mbahet në gusht, shkruan sot Koha Ditore. Tek në muajin shtator planifikohet të nisë mbajtja e dëgjimeve publike për këtë draft-dokument, i punuar nga urbanistët e Komunës dhe në mbështetje të ekspertëve të organizatës gjermane “GIZ” dhe që përcakton kahen e zhvillimit të Komunës së Pejës për periudhën 2019 – 2027.
Ky draft-dokument ishte miratuar në seancën e prillit në Kuvendin Komunal, pavarësisht se ka munguar konfirmimi nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), pa të cilin nuk ka mundur të dërgohet në diskutim publik.
Komuna kishte kërkuar që dëgjimi publik për PZHK-në të nisë edhe pa atë pëlqim, por MMPH-ja ia kishte ndaluar Komunës për shkak të mangësive të identifikuara në draft-dokumentin e PZHK-së. Konkretisht bëhej fjalë për disa vërejtje teknike që Komuna është dashtë t’i përmirësojë, ndër to edhe plotësimi i disa hartave bazuar në udhëzimin administrativ. Pas katër muajve, siç konfirmoi të mërkurën drejtori i Urbanizmit, Rajan Arapi, Komuna e Pejës, ka marrë pëlqimin nga MMPH-ja për draftin e PZHK-së.



