Aktuale
Plani zhvillimor i Ferizajt sërish kontestohet nga organet e drejtësisë

Gjykata Themelore në Prishtinë nëpërmjet një aktgjykimi ka anuluar pëlqimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e cila më 2017 ka miratuar ecurinë e Planit Zhvillimor Komunal. Për ta anuluar këtë dokument më së shumti ka pasur reagime nga banorët e lagjes “Astrit Bytyçi” derisa Komuna e Ferizajt më 2017 ka vendosur ta ndryshojë strukturën e kësaj lagjeje me ndërtime të larta banesore.
Rreth kësaj çështjeje njëri nga përfaqësuesit e kësaj lagjeje, Imri Haliti, ka ngritur edhe padi ndaj institucioneve të caktuara duke pretenduar se procesi i PZHK-së në Ferizaj është përcjellë me një varg shkeljesh ligjore. “Aprovohet si e bazuar, kërkesëpadia e paditësit Imri Haliti, ndërsa anulohet vendimi i të paditurës, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë, të datës 20.09.2017 dhe çështja kthehet në rishqyrtim dhe në rivendosje te e paditura”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të cilin e ka siguruar “Koha Ditore”.
Shqyrtimi kryesor në këtë çështje juridike është mbajtur në kuptim të nenit 41 të Ligjit për konfliktet administrative, në prani të paditësit dhe të autorizuarit të tij e në mungesë të palës së paditur të thirrur në mënyrë të rregullt. Gjykata Themelore në seancën e shqyrtimit kryesor të datës 9.10.2019 ka bërë administrimin e provave duke grumbulluar një varg dokumentesh të ndryshme si: vendime, ankesa, kallëzime penale, parashtresa, aktvendime, formularë, peticione, procesverbale, komunikime elektronike etj.
