Aktuale
Piramida e Tiranës, objekti ikonik që do risjellet në qendër të vëmendjes
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/06/2B1E927C-4C6F-41FD-A0B0-5AC2E035390F-1.jpeg)
Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Pjetër Arbnori” apo edhe siç njihet ish-Muzeu i “Enver Hoxhës” përgjatë viteve ka pësuar ndryshime, por që ka arritur të qëndrojë në këmbë.
Objekti ikonik, për një periudhë kohore u la pas dore, por megjithatë asnjëherë nuk rreshti së qenuri objekti më i përfolur në trojet shqiptare dhe jo vetëm.
Piramida e Tiranës sërish do të jetë në qendër të vëmendjes dhe do shndërrohet në pikë referimi për Shqipërinë, për nga ana e projekteve aktikekturore. Kjo për shkak rikonstruksionit që planifikohet t’i bëhet.
Piramida e Tiranës është një ndërtesë historike në bulevardin kryesor të kryeqytetit të Shqipërisë, e ndërtuar në vitin 1988 nga një numër arkitektësh të njohur shqiptarë të udhëhequr nga Klement Kolaneci.
Struktura u ndërtua me synimin e paracaktuar për të shërbyer si një muze për trashëgiminë e diktatorit komunist Enver Hoxha. Ajo e përmbushi këtë qëllim për tri vite, deri në vitin 1991; që atëherë ajo ka kaluar në një sërë funksionesh duke u bërë – gjithnjë në mënyrë të përhershme – një qendër kongresi, një vend festiv kombëtar i xhazit, një sallë leksionesh, një teatër, një hapësirë ekspozuese, një vend potencial për parlamentin e Shqipërisë.
Në grupin e punëtorëve të caktuar për ndërtimin e saj, ishte edhe arkitekti Pirro Vaso.
Vaso tregon se si urgjenca për ndërtimin e këtij objketi ishte një shok për arkietktët.
“Detyra e parë dhe shumë e fortë, na ra neve arkitktëve për atë që duhet të bënim dhe kjo ishte një detyrë e vështirë. Kështu që edhe ne u ndodhëm para një shoku profesional. Detyra ishte urgjente sepse duhej realizuar sa më parë sepse kishte një afat të caktuar”, shprehet ai.
Krijimi i kësaj ndërteseje ishte një sfidë e vërtetë edhe për shkak të lokacionit. E rrethuar nga kryevepra arkitekturore, ky objekt duhej gjithsesi të shndërrohej në një të tillë, në një kryevepër që do t’i mbijetonte kohës.
Sfidën për ndërtimin e këtij objekti e tregon edhe Vlaso, i cili thotë se Qendra e Kulturës duhej të qëndronte në mënyrë dinjitoze pranë dy objekteve ikonike rreth saj; Godinës së Kryeministrisë dhe Hotelit të Dajtit.
“Ky vend qëlloi të ishte midis dy ikonave të arkitekturës shqiptare të asaj kohe, që ishin Godina e Kryeministrisë dhe Hotel Dajti, që ishte një arkitekturë e ndërtuar në kohën e ish-jugosllavisë, por me një arkitekturë të pastër dhe të thjeshtë. Ky objekti që do të ndërtonim ne duhet të qëndronte në mënyrë dinjitoze me këto dy objekte dhe duhej t’i respektonte ato”, shprehet arkitekti i njohur.
Një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm ishte edhe peisazhi i jashtëzakonshëm.
Forma e arkitekturës është diskutuar shumë jo vetëm në aspektin arkitekturorë por edhe simbolik.
“Kërkohej që të ishte një ndërtesë pak a shumë simbolike. Ne vramë mendjen shumë në atë kohë dhe elementi i parë në të cilin u bazuam ishte një yll që fëmijët vizatuan në atë kohë kur ishte Enver Hoxha dhe thamë pse të mos nisemi nga ky ylli. Ai ishte fillimi dhe ne filluam mbi bazën e këtij ylli, i cili gjendet në qendër të objektit. Piramida si piramidë është vetëm në pjesën përpara, në pjesët e tjera nuk është piramidë, ka volume vertikale” tregon Vlaso.
Edhe Artan Shkreli Zëvendësministër në Ministrinë e Infrastrukturës thotë se Piramida e Tiranës “është ndër objektet më interesante që u krijuan në Shqipërinë Socialiste”.
Edhe arkitektë e njohës të arkitekturës e konsiderojnë këtë Qendër Kulturore si “njërën nga objektet që është pëlqyer më së shumti nga arkitektët dhe historianët e arkitekturës sepse ka një përzierje të Piramidave Egjiptiane me një modernitet dhe është shumë funksionale”.
E objekti ikonik i Tiranës, i njohur si Piramida e Tiranës do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë dhe “do të bëhet një ndër strukturat më të gjalla të Evropës Lindore”.
Kështu pati bërë të ditur Drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit në Tiranë, Joni Baboçi duke thënë se rikonstruksioni i këtij objekti do ta shndërrojë Piramidën në epiqendër të të rinjve shqiptarë.
Projekti për rikonstruksionin e saj është një bashkëpunim në mes të studios së njohur të arkitekturës “MVRDV”, të Organizatës “AADF”, Qendrës “Tumo Center for Creative Technologies” dhe Bashkisë së Tiranës.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)