Aktuale
Pezullohen punimet në ndërtimin e garazheve nëntokësore

Inspektorët komunalë të Mitrovicës kanë urdhëruar kompaninë “Tropik” që t’i ndërpresë punimet në ndërtimin e garazheve nëntokësore pas ankesave të banorëve të dy ndërtesave në afërsi se u është cenuar siguria. Inspektorët komunalë kanë vlerësuar se kompania nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme për evitimin e rrezikshmërisë.
Banorët e dy ndërtesave në afërsi të objektit të Gjykatës Themelore në jug të Mitrovicës janë ankuar se kompania që ka fituar tenderin për ndërtimin e garazheve nëntokësore NTP “Tropik” ua ka vështirësuar jetën dhe ka cenuar sigurinë e tyre, pasi që nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme për evitimin e rrezikut.
Ata kanë thënë gjithashtu se u është pamundësuar qasja në banesat e tyre.
Ata janë ankuar se punët që janë duke u bërë në ndërtimin e garazheve nëntokësore përveçqë kanë vështirësuar lëvizjen në atë pjesë paraqesin rrezik për jetën e banorëve e sidomos të fëmijëve, por edhe të kalimtarëve.
Përfaqësuesit e familjeve që banojnë në dy ndërtesat shumëkatëshe përreth zonës së paraparë për ndërtimin e garazheve nëntokësore në qendër të qytetit, afër ish-ndërtesës ku tani është vendosur Gjykata Themelore e Mitrovicës, kanë kërkuar të takohen me zyrtarët komunalë të Mitrovicës dhe ata kanë takuar nënkryetarin Faruk Mujka dhe drejtorin e Drejtorisë së Inspektoratit, Hysni Ahmeti, shkruan “Zëri”.
Ata kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me punimet që po bëhem në atë zonë nga operatori ekonomik NTP “Tropik”, që është përfitues i tenderit për ndërtimin e garazheve nëntokësore.
Ata thanë se po u rrezikohen pronat, përkatësisht banesat e tyre dhe u është vështirësuar qasja në to, ndërsa siç thanë ata “shqetësues është edhe siguria e banorëve dhe qytetarëve të tjerë e në veçanti siguria e fëmijëve”.
