Aktuale
Peticioni me kërkesën për shpëtim të kullave të Jasharajve i dorëzohet Qeverisë [dokument]

Peticioni me kërkesën për shpëtimin e kullave të familjes Jashari në Prekaz i është dorëzuar sot Qeverisë së Kosovës, Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memorialë të Kosovës, dhe Komisionin Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor të Kuvendit të Republikës së Kosovës, shkruan Ndërtimi.info.
Këtë e ka bërë të ditur iniciuesi i këtij peticioni, Jusuf Thaçi.
Peticionin e kanë nënshkruar mbi 3 mijë qytetarë të Kosovës me qëllim nxitjes së institucioneve komptente për ndërhyrje urgjente për shpëtimin e kullave në Prekaz.
“Në kuadër të nismës për shpëtimin dhe ruajtjen e Kompleksit të Familjes Jashari, pasi janë arritur mbi 3 mijë nënshkrime të qytetarëve që e kanë nënshkruar peticionin online drejtuar Qeverisë së Republikës së Kosovës për “Për shpëtimin dhe ruajtjen e Kompleksit të Familjes Jashari”, si qytetar i Kosovës dhe në emër të të gjithë qytetarëve që e ndajnë këtë shqetësim, sot i kam drejtuar kërkesë, përmes postës dhe përmes e-mailit (përmbajtjet dhe dëshmitë janë të bashkëngjitura në këtë postim) tri institucioneve që kanë përgjegjësi dhe kompetenca për ta adresuar dhe për ta zgjidhur këtë problem: Qeverisë së Republikës së Kosovës, Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memorialë të Kosovës, dhe Komisionin Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka njoftuar ai.
Thaçi ka theksuar se shpreson që këto institucione do ta trajtojnë seriozisht këtë kërkesë qytetare dhe do të ndërmarrin urgjentisht të gjitha masat për shpëtimin dhe ruajtjen e Kompleksit të Familjes Jashari.
Për gjendjen e rëndë të kullave të familjes Jashari, kishte raportuar Ndërtimi.info, nga edhe u ngrit alarm serioz për rrëzimin e mundshëm të tyre, e që filluan veprimet për t’i shpëtuar.
E, nëse institucionet nuk ndërmarrin masa, Thaçi ka nënvizuar se së bashku me qytetarët do të mbetet aktiv derisa të arrihet një zgjidhje afatgjate për Kompleksin e Familjes Jashari.
Ai, ka falënderuar gjithë nënshkruesit e peticionit, derisa ka bërë thirrje që të mbesin aktiv në këtë çështje.
“Me këtë rast i falënderoj të gjithë qytetarët që e kanë nënshkruar peticionin dhe i falënderoj të gjitha mediat që e kanë aktualizuar dhe po e mbajnë aktuale këtë temë. Në të njëjtën kohë i lus të gjithë qytetarët dhe të gjitha mediat që të vazhdojnë ta mbajnë në vëmendje të publikut këtë çështje deri në ndërmarrjen e masave nga institucionet përgjegjëse”, ka thënë ai.
