Arkitekturë
Pesë trende dizajni që do ta bëjnë ambientin e zyrës tuaj më produktiv

Po ndryshoni dizajnin e ri zyrës suaj? Përfshini edhe disa prej këtyre risive.
Çdo kompani ka nevojat e veta për sa u përket zyrave. Por në Listën e Zyrave më Trendi që botohet çdo vit, mbizotërojnë disa elemente të caktuara që karakterizojnë zyrat më moderne dhe me elegancë.
Disa nga arkitektët e këtyre zyrave na rrëfejnë se çfarë është më në modë për vitin 2018:
1. Një dhomë më vete e posaçme për një ekip
Pse ta ndani hapësirën tuaj me të tjerët? Së pari, një ekip me dhomë më vete mund të varë çfarë të dojë nëpër mure. “Kjo ndihmon edhe në procesin e bashkëpunimit të punonjësve”, thotë David Galullo, drejtor ekzekutiv i Rapt Studio. “Kujtimi i gjithë ciklit të zhvillimit të produktit, mbetet brenda hapësirës së zyrës”.
2. Hapësira më të rehatshme për punë individuale
Teksa puna e veçuar bëhet gjithnjë e më e zakonshme, më shumë punonjës po fillojnë të kenë rendiment duke punuar me vende të tjera përveç tryezës së zakonshme të punës. Prandaj, një numër i madh ambientesh kanë filluar të përfshijnë librari, kafene dhe dhoma pushimi të përshtatshme për punë individuale. “Hapësira ka rregullat e veta”, thotë Galullo. “Duhet mbajtur qetësi. “Ndodhesh pranë personave të tjerë, por ata nuk janë mbi celularë dhe nuk flasin me të tjerë”.
3. Kontrolle akustike
Bashkëpunimi është shumë i mirë dhe shpesh i nevojshëm por mund t’i bezdisë ata që po përpiqen të punojnë të vetëm. Prandaj më shumë kompani po përpiqen të kontrollojnë mënyrën sesi tingulli udhëton përgjatë ambienteve të tyre. Për shembull, duke shtruar tapete nëpër zona që kanë mbetur të zbuluara, si p.sh. në korridore. Edhe mobiliet dhe bimët mund të ndihmojnë për të izoluar tingujt e ambientit.
4. Hapësirë për thyerjen e monotonisë
Rreshta të gjatë me tryeza shkrimi janë të mërzitshme. Thyeni monotoninë me hapësira për t’u ulur apo për takime. Zyra e BCG Digital Ventures në Nju Jork i ngjason një labirinti me dhoma konferencash dhe hapësira pushimi. “Është aq e ndërlikuar, sa të duhet një hartë për t’u orientuar” thotë Christian Robert, bashkëthemelues i R&A, firmës që ka bërë dizajnin e zyrave. “Por të ngjall vazhdimisht interes”.
5. Shenja vizuale që t’u kujtojnë të punësuarve pse vijnë në punë çdo ditë
Shumica e punonjësve kanë nevojë për një sens qëllimi në punën e tyre. Për këtë mund të ndihmojë dizajni i një zyre i cili mund të paraqesë imazhin e kompanisë, qoftë nëpër tablotë e mureve, mobiliet, dekorin etj. “Sidomos të rinjtë dëshirojnë të vijnë në punë duke u ndier sikur janë pjesë e diçkaje më të madhe se vetë ata”, thotë Galullo. “Dizajni juaj është një shans për t’u kujtuar pse janë atje dhe pse kjo markë është e rëndësishme për botën”.
