Aktuale
Përurohet stadiumi ndihmës në Korishë të Prizrenit
Futbollistët e Komunës së Prizrenit do të kenë edhe një stadium të ri ndihmës.
Në Korishë të Prizrenit është përuruar sot stadiumi ndihmës në Boka Boka nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
“Është një investim në kuadër të projekteve që realizon Ministria e Sportit për të krijuar hapësira për futbollistët tanë, për talentet e rinj. Ky është projekti jo i fundit që po investojmë në Komunën e Prizrenit, kemi mjete të ndara edhe për stadiumin në Gjonaj në të cilin po presim të kryhen aspektet administrative nga ana e Komunës dhe të fillojmë investimet në këtë stadium”, u shpreh ministri Gashi, transmeton Klan Kosova.
“Jam i bindur fuqishëm që ky stadium do ta ndihmojë Komunën e Prizrenit, sportistët e Prizrenit që të avancojnë më tutje, kemi investime të shumta, Komuna e Prizrenit ka një memorandum me Ministrinë e Kulturës rreth 40 milion euro, presim që të gjitha këto investime të implementoj edhe në sport edhe në kulturë por edhe në trashëgimi”.
“Nuk po rreshtin projektet e infrastrukturës së futbollit nëpër gjithë Kosovën, ky ministër e bën mrekullinë në stadiumet e sidomos në stadiumet e futbollit, jam shumë i lumtur që kam hasë në mirëkuptim sidomos te ministri, falënderoj edhe partnerin tim më të madh, Ministrinë e Sportit që po u ja jep hakun sportistëve”, ka thënë me këtë rast kryetari i FFK-së, Agim Ademi.
E kryetari Haskuka tha se shpreson se investimet që po bëhen nëpër stadiumet në komunën e Prizrenit do të përdoren për avancimin e të rinjve dhe talenteve të reja.