Aktuale
Personat me aftësi të veçanta në Mitrovicë do bëhen me qendër kujdesi
Personat me aftësi të veçanta në Mitrovicë në të ardhmen e afërt do të bëhen me shtëpi.
Kjo vijen pasi që gjatë ditës sotme, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Safet Kamberi dhe drejtori i “Handikos” Afrim Maliqi, kanë nënshkruar Marrëveshjen për bashkëfinancimin e projektit “Ndërtimi i Qendrës së Personave me Aftësi të Kufizuara në Komunën e Mitrovicës Jugore – Handikos”.
Vlera e këtij projekti kap shumën prej 200,000.00€.
MPMS-ja nga buxheti vjetor i planifikuar për vitin 2018 financon këtë projekt në shumën prej 100,000.00€, ndërsa pjesa tjetër mbulohet nga ‘Handikos’.
Kamberi, është shprehur se fokusimi i ministrisë që ai drejton do të jetë permanent në përmirësimin e kushteve të jetës për personat me aftësi të veçanta.
“Ne do të japim kontributin tonë në vazhdimësi që të jemi sa më pranë njerëzve në nevojë, qoftë me projekte, qoftë me ofrimin e kushteve dhe integrimin dhe trajtimin e tyre të barabartë në shoqëri. Përkushtimi ynë nuk do të mungojë, varësisht prej kushteve dhe mundësive buxhetore” është shprehur Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Safet Kamberi.
Drejtori i Handikos-it, Afrim Maliqi, ka falënderuar ministrin Kamberi për bashkëpunimin, duke shtuar se në shumë segmente, Kosova rangohet mbi rajonin, në ofrimin e kushteve dhe trajtimin e kësaj kategorie në shoqërinë kosovare.
Ai është shprehur optimist se në të ardhmen gjendja e personave me aftësi të kufizuara do të avancohet edhe më shumë.