Featured
Përsëri zvarritje në punimet e rrugës Prishtinë – Mitrovicë, për një muaj u zgjerua vetëm 50 metra

Më datë 22 mars rifilluan punimet në rrugën Prishtinë – Mitrovicë, rrugë kjo e cila tash e disa vite ka filluar por po zvarritet.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit në prezencën e kryeministrit të Kosovës bënë inaugurimin e rifillimit të punimeve në këtë rrugë, përkatësisht në segmentin Lumadh – Gojbulë, madje ende pa përfunduar të gjitha procedurat e shpronësimit, shkruan lajmi.net.
Haradinaj, në fjalën e tij gjatë inaugurimit të rifillimit të punimeve tha se kjo rrugë gjatë këtij viti do t’i afrohet Mitrovicës, por një e gjë e tillë duket vështirë të ndodhë.

Sipas kontratës së Ministrisë së Infrastrukturës me konsorciumin “JV PE-VLA-KU Sh.p.k. PATISHTA PLOVDIV”, për zgjerimin dhe asfaltimin kësaj rruge që ka kushtuar afër 25 milionë euro, kohëzgjatja e kësaj kontrate është 24 muaj.

Por tash e një muaj prej kur kanë filluar punimet për zgjerimin e segmentit të parë të kësaj rruge, punë është realizuar shumë pak.
Për këtë kohë, janë zgjeruar vetëm 50 metra rrugë në njërën anë të segmentit i cili është i gjatë 9.6 kilometra dhe punimet nuk kanë vazhduar më tutje, gjë që ka ndodhur edhe viteve të kaluara ku punimet fillonin në sezonin e verës duke e bërë të vështirë qarkullimin e automjeteve për shkak të ngarkesës së madhe.



Në fotografitë e siguruara nga Lajmi.net shihet e rrethuar zona ku kanë filluar punimet mirëpo afër nuk shihet asnjë mjet i punës.
Kështu, edhe banorët e zonës dhe lexues të lajmi.net kanë treguar se nuk ka lëvizje të punëtorëve dhe nuk ka punë aktive tash e disa ditë.
