Aktuale
Përparim Rama kundërshton vendin ku do të ndërtohet Xhamia e Madhe

Ndërtimi i xhamisë së madhe në Prishtinë është duke u zvarritur me vite. Ditë më parë kryeimami nga Bashkësia Islame e Kosovës, Sabri Bajgora ka thënë se ndërtimi i xhamisë te Posta e Madhe do të fillojë pas muajit të ramazanit.
Mirëpo, vendi ku në vitin 2013 u hodhën themelet e kësaj xhamie po kundërshtohet nga arkitekti kosovar me famë botërore, Përparim Rama, shkruan Ndërtimi.info.
Ai, ka nënvizuar disa arsye në të cilat e bazon kundërshtimin e tij.
“Për të mirën e komunitetit Islam, si dhe të gjithë qytetarëve të Prishtinës shpresoj të kemi një mundësi të fundit të debatojmë në mënyrë konstruktive dhe të gjejmë pozitën më të përshtatshme për Xhaminë e Madhe. Pozita e tanishme, tek Posta, është e gabuar nga aspekti urban, arkitektonik, tradicional e historik. Për hir të qytetit tonë dhe të gjithë qytetarëve e sidomos të komunitetit Islam nuk duhet të lejojmë të bëjmë këtë gabim, kur e kemi mundësinë të rigjenerojmë pjesën më të rëndësishme te kryeqytetit tone”, ka shkruara ai në facebook.
Akrtikitekti Rama, tregon se në cila pjesë e Prishtinës është më e përshtatshmja për ndërtimin e xhamisë më të madhe në vend.
“Mendoj qe pozita në Prishtinën e vjetër, aty ku janë tri xhamitë dhe Hamami, aty ku ka qenë çarshia e vjetër, aty ku është tregu, aty ku kanë fillua celulat e para të qytetërimit të Prishtinës, aty duhet të jetë edhe Xhamia e Madhe. Rrugët përreth duhet të shndërrohen në rrugë këmbësorësh. Te gjitha hapësirat publike duhet te rehabilitohet dhe ta na e përkujtojnë historinë tone, Prishtinën e vjetër. Vetëm paramendone ndërlidhjen e të gjitha Xhamive përreth me hapësira publike për këmbësore, me dyqane filigranesh, zejesh te ndryshme, me treg e produkte vendore, me përplot histori e trashëgimi’, thotë ai.
Sipas tij, sheshi “Nëna Terezë” duhet të lidhet me këtë pozitë, e po ashtu të vazhdojë ne anën tjetër deri tek katedralja, derisa shton se duhet të bëhet ndërlidhja e feve, që na karakterizojnë si komb, si nga aspekti shpirtëror po ashtu edhe nga aspekti urban.
