Aktuale
Përmbaruesit privatë i marrin mijëra euro Komunës së Prishtinës

Komuna e Prishtinës për projekte të ndryshme ka dhënë mijëra euro shtesë për përmbaruesit privat. Për 28 pagesa të ekzekutuara sipas urdhëresave të përmbaruesve privat në vlerë 867,397€, komuna kishte paguar shpenzime shtesë në vlerë 36,755€, për përmbaruesit privatë, shkruan Ndërtimi.info.
Thesari i komunës së Prishtinës ka ekzekutuar pagesa në vlerë prej 1,875,280€ nga buxheti i komunës direkt në llogari të Operatorit Ekonomik (OE).
E pagesat e rrjedha nga thesari nga Komuna e Prishtinës për vitin 2017 janë bërë për disa arsye.
“Edhe pse nuk kemi marrë përgjigjen e kërkuar me shkrim, ekzekutimi i pagesave nga Thesari rrjedh si rezultat i hyrjes në obligime pa zotim paraprak të mjeteve, në mungesë buxheti, nga pranimi i shërbimeve me kontrata të skaduara, etj”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Sipas ZKA-së format e pagesës përmes vendimeve gjyqësore rrezikojnë realizimin e projekteve të planifikuara kapitale nga ku janë marrë mjetet për pagesë, si dhe duke shkaktuar dëmtim shtesë të buxhetit për shkak të shpenzimeve përmbarimore. Po ashtu kjo formë e pagesës rritë rrezikun që operatorim qëllimisht të mos i sjell faturat në mënyrë që të përfitojnë palët e përfshira.
Auditori rekomandon të parin e Prishtinës, Shpend Ahmetin që të marrë veprimet e duhura për ndalimin e këtyre pagesave.
“Kryetari, duhet të marrë veprimet e duhura në mënyrë që të ndërpresë praktikat e krijuara të pagesave me vendime gjyqësore ose pagesave direkte nga thesari. Shmangia e tyre duhet të bëhet duke respektuar me përpikëri rregullat e prokurimit publik (menaxhim i mirë të kontratave nga planifikimi, ekzekutimi e deri të raportimi i tyre), si dhe rregullat e thesarit lidhur me zotimin e mjeteve me kohë si dhe hapave tjerë deri në ekzekutimin e pagesave”, thuhet në raport./Ndërtimi.info/
