Featured
Përfundon rikonstruksioni i rrugës në Pezë, ja çka thotë Veliaj
Nga një zonë e mbuluar nga balta, banorët e Pezë Helmësit tani kanë një rrugë të re, e cila lidh lagjet përreth me rrugën kryesore duke lehtësuar qarkullimin e automjeteve dhe tregtimin e produkteve bujqësore e blegtorale.
Në përurimin e rrugës, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se fokusi në gjysmën e dytë të mandatit do të jetë investimi te fshati për të rritur cilësinë e jetës për banorët.
“E gjithë zona e Shirt – Pezë Helmësit tani ka një unazë që depërton fshatrat dhe lagjet kryesore të zonës, për t’i lidhur me rrugën kryesore. Në këto kohë ku kemi një debat shumë të rëndësishëm për fshatin, Bashkia e Tiranës tashmë e ka marrë vendimin. Në gjysmën e dytë të mandatit jemi fokusuar tek fshati. Ishim për të hapur një thertore në Vaqarr, sot një rrugë në Pezë, po vazhdojmë me lagjet në Ndroq dhe besoj se përtej recitimit “Bagëti e bujqësi” është realisht e rëndësishme të bëjmë gjëra konkrete”, tha Veliaj.
Bashkia e Tiranës ka nisur një plan për sistemin e qendrave të fshatrave duke i transformuar këto zona që deri pak kohë më parë nuk kishin njohur asnjë ndërhyrje nga ana e shtetit.