Aktuale
Përfundon objekti i banimit social në Stantërg, vendosen 17 familje
Nga shumë familje që jetojnë në kushte të rënda të banimit në komunën e Mitrovicës, 17 prej tyre kanë pasur fatin që përfundimisht ta zgjidhin problemin e banimit, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale e Republikës së Kosovës ka investuar 300 mijë euro për ndërtimin e një objekti të banimit social në Stantërg, ku në objekte të vjetra të kombinatit “Trepça” kanë jetuar në kushte të rënda të banimit.
Ato janë shfrytëzuar për strehimore kolektive nga shumë familje që kanë pasur probleme me banimin që nga përfundimi i luftës. Ndonëse disa prej këtyre familjeve ishin larguar nga ato objekte, pasi që Komuna gjatë qeverisjes së PDK-së dhe Agim Kastratit kishte arritur që një objekt që e kishte shfrytëzuar KFOR-it ta shndërrojë në objekt banimi dhe në të ishin vendosur disa familje në gjendje të rëndë të banimit. Por, në objektet e stërvjetruara dhe vetëm sa nuk janë rrënuar patën mbetur të jetojnë edhe disa familje të tjera të komunës së Mitrovicës.
Ishte pikërisht Kadri Veseli, kryeparlamentari i Kosovës, i cili në vitin 2016 pati vizituar familjet që rrezikoheshin nga shembja e objekteve dhe me atë rast kishte siguruar se për të pastrehët do të ndërtohet një objekt banimi i karakterit social, në të cilin do të vendoseshin familjet e pastreha, për të cilin do të investonte Qeveria e Kosovës.



