Aktuale
Përfundon aksioni në Gjilan, pezullohet puna e 16 kompanive ndërtimore

Për dy javë Inspektorati i Punës ka marrë aksioni që t’i mbyll vendpunishtet e kompanive ndërtimore të cilët nuk kanë skele mbrojtëse.
Pas Komunës së Prishtinës ku u mbyllën 101 vendpunishte në mungesë të skeleve mbrojtëse, aksioni vazhdoi edhe në qytetin e Gjilanit. Në 16 punishtet e gjilanasve u pezulluan punët pasi që nuk plotësonin kushtet për sigurinë dhe mbrojtjen e punëtorëve.
Këtë e ka bërë të ditur për Ndërtimi.info kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi.
“Aksioni për momentin nuk është duke vazhduar sepse është dashtë me marrë me do ankesa, me do punë që i kemi pas dhe ndërkohë vazhdon. Gjilanin e kemi kry, tash kemi me shku në Ferizaj dhe nëpër vende tjera. Në Gjilan 16 vendpunishte janë pezulluar. Saktësisht nuk e di por nuk janë shumë. Tash veç inspektorët janë duke u marrë me atë se sa janë duke u respektuar vendimet e inspektoratit”, tha Ibrahimi.
Kujtojmë që nga fillimi i nisjes së këtij aksioni pati kundërshtime nga Shoqata e Ndërtimtarëve dhe Prodhuesve të Materialit Ndërtimor të cilët deklaruan se është e vështirë të bëhet sigurimi i skeleve mbrojtëse në tregun kosovarë.
Ata kërkuan kohë dhe që të paktën të lejohet të punohet të paktën këtë vit.
Gjatë ditës së sotme, kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve dhe Prodhuesve të Materialit Ndërtimor, Faton Hoxha ka thënë se ministri i Punës, Skender Reçica është zotuar se do të lejohet puna pa skele, por me kushte të tjera minimale.
Megjithatë, kjo është mohuar nga kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi e ka mohuar këtë.
Një gjë e tillë është kundërshtuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale bënë të ditur se është duke vazhduar aksioni për ndalimin e punimeve në vend punishtet e ndërtimit ku nuk ka skele mbrojtëse dhe respektim të kushteve të tjera minimale të sigurisë, raporton Ndërtimi.info.
Zëdhënësja e kësaj ministria, Mimoza Kqiku ka thënë se nuk do të lejohet puna aty ku nuk ka skele.
“Skelet janë masë minimale dhe pa skele nuk mund të lejohet vazhdimi i punimeve. Thjeshtë po kërkohet respektimi i kushteve minimale të punës. Ndërsa, përqindja e skeleve që duhet të ketë një objekt caktohet nga Inspektorati i Punës”, ka thënë ajo për Ndërtimi.info.
Ajo, ka theksuar se në Prishtinës, pas përmbushjes së kushteve është lejuar vazhdimi i punimeve në 35 vend punishte, të cilave më parë u ishin ndërprerë punimet.
“Plani operativ është duke vazhdar. Vetëm në Prishtinë janë mbyllur përkohësisht 101 vend punishte, pastaj me plotësimin e kushteve janë lejuar punimet në 35 prej tyre. Plani operativ do të vazhdojë dhe nuk do të lejohen punimet ne ato vend punishte ku nuk plotësohen kushtet minimale si skele, helmeta e tjerë. Thjeshtë po kërkohet që të plotësohen kushtet minimale të sigurisë”, ka shtuar ajo.
