Aktuale
Përfundojnë vonesat me tenderin e “Unazes së Re” në Tiranë
Me ofertën me vlerë 1.77 mld lekë, bashkimi i kompanive Salillari dhe Bajrami N ka arritur të shpallet fitues në tenderin për Lotin e Parë të Unazës së Re Tiranë.
Fondi limit në këtë segment ishte 2.25 miliardë lekë. Pas një “odiseje”, që nisi me anulimin e tenderit të parë, ku ishte shpallur fitues bashkimi i kompanive “DH Albania” dhe “BibaX”, por rezultoi se ishin falsifikuar dokumentat, gara u rihap. Në të morën “2 T” SHPK & “G.P.G COMPANY”; “ALB-BUILDING” SHPK & “EUROTEOREMA” SHPK & “LIQENI VII” SHA & “COMMUNICATION PROGRES”; “CURRI” SHPK + “ALBA KONSTRUKSION” SHPK; “GENER 2”; “GJOKA KONSTRUKSION” sha & “SHANSI INVEST” shpk; “SALILLARI” SHPK & “BAJRAMI N”; “VEGA” SHPK & “ALKO IMPEX GENERAL CONSTRUCTION” dhe “VELLEZERIT HYSA” SHPK.
Gjatë tenderimit, u skualifikuan “2 T” SHPK & “G.P.G COMPANY”; “ALB-BUILDING” SHPK & “EUROTEOREMA” SHPK & “LIQENI VII” SHA & “COMMUNICATION PROGRES” SHPK; “GENER 2” dhe “GJOKA KONSTRUKSION”. Tenderi për “Lotin 1” u hap për herë të tretë më 14 qershor dhe u mbyll më 22 korrik. Në tenderin e dytë nuk u plotësuan kriteret nga asnjë kompani, ndërsa në të tretin u vendos që projekti të ndryshohej nga rrethrrotullim me nënkalime dhe mbikalime, në kryqëzim me nënkalime.
Fillimisht Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) i skualifikoi dy kompanitë Salillari dhe Bajrami N për mungesa në plotësimin e kritereve, por më 23 gusht kompanitë ankimuan vendimin dhe përfundimisht ka qenë Komisioni i Prokurimit Publik që u ka dhënë atyre të drejtë, duke vendosur përfundimisht të japë OK në favor të tyre. Sot është zbardhur edhe vendimi i Komisionit, që zyrtarizon shpalljen e fituesit. Tanimë, hapet përfundimisht rruga për ndërtimin e këtij loti dhe gjithë Unazës së Re në pjesën e saj perëndimore./Shqiptarja.com