Aktuale
Për tre muaj eliminohen mbi 40 deponi ilegale të mbeturinave

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencave në Ferizaj Arben Halili, ka pranuar raportin e përmbledhur të aksionit për pastrimin e hapësirave publike, gjegjësisht eliminimin e deponive ilegale në territorin e Komunës së Ferizajt për periudhën 3 mujore, aksion ky i ndërmarrë nga DSHPE dhe KRM “Pastërtia”.
Sipas këtij raporti, në këtë periudhë janë pastruar mbi 25 rrugë, me mbi 40 deponi ilegale të mbeturinave në një sasi mbeturinash prej afro 500 tonë.
Ky aksion është shtrirë si në zonën urbane ashtu edhe në atë rurale.
Drejtori Halili apelon te qytetarët e Komunës së Ferizajt të mos hedhin mbeturina në zonat ku nuk është e lejuar dhe që të denoncojnë rastet e ndotësve të hapësirave publike në mënyrë që ambienti të jetë më i pastër dhe të kursehet paraja publike që shpenzohet për eliminimin e deponive ilegale të mbeturinave.
Përkitazi me këtë rast, drejtori Halili njofton se aksionit për mirëmbajtjen e hapësirave publike dhe luftës kundër ndotësve i është bashkuar edhe inspektorati komunal dhe inspektorati mjedisor me qëllim që qytetarëve t’i garantohet ambienti i pastër dhe mirëmbajtja e rregullt e hapësirave publike.
Këto aksione të ndërmarra nga KRM “Pastërtia” paraqesin qasjen serioze të qeverisjes komunale, gjegjësisht kryetarit Aliu për të zbatuar zotimin e tij ndaj qytetarëve ferizajas, për një ambient të pastër dhe shërbime publike efikase.
Ditëve në vijim, Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencave në bashkëpunim me Inspektoratin Mjedisor dhe ndërmarrjet publike do të ndërmarrin një aksion të gjerë për pastrimin e hapësirave publike, sensibilizimin e opinionit për kujdes ndaj mjedisit si dhe sanksionimin me gjoba mandatore nga inspektorati mjedisor për të gjithë ata që nuk janë të përgjegjshëm ndaj ruajtjes së mjedisit.
