Aktuale
Për të dytën herë jepet tenderi milionësh për “Muzeun e Historisë së Natyrës”
Shkeljet ligjore që u bënë në dhënien e tenderit për ndërtimin e “Muzeut të Historisë së Natyrës” që ishte iniciuar në 2015-ën, kanë bërë që ndërtimi i tij të zvarritet deri më tash. Pas shqyrtimit të ankesave nga operatorët ekonomik tani Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për të dytën herë ka zgjedhur kompaninë për ndërtimin e këtij muzeu.
Tenderi i është dhënë grupit të operatorëve ekonomik “N.N.R&Rukolli” Sh.P.K, “Call Home Elektronics” Sh.P.K. me çmim 2 milionë e 378 mijë e 431 euro e 81 cent. Kontratë kjo që pritet të nënshkruhet brenda 10 ditësh.
Lokacioni i muzeut me rreth 4800 metra katrorë do të jetë parku i Pishave në Sllatinë. Hapësirat e të cilës do të jenë për ekspozitë të përhershme për 880 eksponante, për ekspozitë të përkohshme me 400 metra katrorë sa edhe do të jetë arkivi.
Muzeu do të ketë planetarium, auditorium, bibliotekë, kënd të fëmijëve, restorant, shëtitore dhe hapësira administrative.
Sipas përshkrimit të lëndës në kontratë thuhet që qëllimi i ndërtimit të objektit “Muzeu i Historisë së Natyrës” është se koleksionon, ekspozon dhe arkivon mbetjet e çfarëdo organizimi në standarde më të larta të mundshme për të siguruar ruajtjen e tyre dhe të gjitha informatave rreth tyre.
Ky muze do t’iu ofroj qytetarëve të Kosovës ekspozita të përhershme dhe të përkohshme me eksponate nga zoologjia, gjeologjia, botanika dhe të tjera.




