Aktuale
Për sigurinë e objektit të shkollës “Ahmet Gashi” do të bëhet rivlerësim
Objekti i gjimnazit shoqëror “Ahmet Gashi” në kryeqytet është i zbrazët. Nxënësit dhe stafi i shkollës janë shpërndarë në dy shkolla tjera, pas vendimit të komunës për rrënimin e këtij objekti, me arsyetimin se gjendja e keqe e mureve rrezikon sigurinë e tyre, raporton KTV.
Pas protestave të nxënësve e përkrahjes së tyre nga stafi i gjimnazit, do të bëhet një vlerësim i ri për gjendjen e objektit.
Ndonëse komuna thotë se vendimi për rrënim është ende në fuqi, pas vlerësimit të dytë do të kuptohet nëse objekti ka nevojë të rrënohet përfundimisht apo vetëm të rinovohet.
Komuna ka ndarë 100 mijë euro për rinovimin e objektit Shkollës së Mesme “Gjin Gazulli”, në të cilin planifikon t’i zhvendosë përkohësisht nxënësit e “Ahmet Gashit” derisa të bëhet një zgjidhje afatgjate për këtë gjimnaz.
Mirëpo, rinovimi apo rindërtimi i objektit të gjimnazit shoqëror nuk është pjesë e projektbuxhetit të komunës për vitin ardhshëm.
Drejtuesit e gjimnazit shoqëror thonë se emrat e inxhinierëve të përzgjedhur për vlerësimin e ri janë dërguar në komunë dhe se po presin miratimin e tyre.
Aktualisht, nxënësit e klasës së 10-të të “Ahmet Gashit” janë duke ndjekur mësimin në objektin e shkollës fillore “Emin Duraku”, kurse klasat e 11-ta dhe të 12-ta në atë të gjimnazit “Sami Frashëri”.
Vazhdimi i funksionimit të ndarë në dy shkolla, Reçica thotë se ka frikë që mund të ndikojë në uljen e suksesit të nxënësve.
Çështja e objektit të gjimnazit “Ahmet Gashi”, sipas komunës, pritet të përfshihet në planifikimin buxhetor të vitit 2021.