Aktuale
Për rrugën e kohës së Titos jepen 2 milionë euro

Derisa kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka siguruar mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e rrugës Bukosh – Gllavotin, e gjatë 18 kilometër dhe që lidhë 27 fshatra të komunës me 2 milionë euro, dega e PDK-së në Vushtrri këmbëngul se projekti i kësaj rruge dhe disa projekte tjera janë të PDK-së. Kjo rrugë është ndërtuar në kohën e ish-Jugosllavisë dhe më nuk është investuar asnjë cent në të, raporton Zëri.info
Projekti i rrugës 18-kilometërshe Bukosh – Gllavotin që lidhë 27 fshatra të komunës së Vushtrrisë, do ta ketë koston prej 1.9 milionë euro dhe këto mjete janë siguruar nga Qeveria e Kosovës. Për këtë rrugë dhe për disa projekte të tjera infrastrukturore, Tahiri ka marrë mbështetje nga ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj dhe kryeministri Haradinaj.
Kjo rrugë që është ndërtuar në kohën e ish-Jugosllavisë, ka qenë për kohë të gjatë problemi më i madh me të cilin është përballur Vushtrria dhe qytetarët e 27 fshatrave të saj.
Por, projekti i kësaj rruge ka nxitur reagimin e PDK-së, e cila mandatin e kaluar ka qeverisur me komunën e Vushtrrisë dhe LDK-në, e cila për katër vjet do të qeverisë me Vushtrrinë. Njoftimi i kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, se Qeveria e Kosovës ka mbështetur projektin e rrugës së gjatë 18 kilometër dhe ajo do të nisë të ndërtohet sivjet, nuk ka kaluar pa reagimin e PDK-së. PDK-ja ka vlerësuar se impenjimi i kryetarit të Vushtrrisë në realizimin e rrugës Bukosh-Gllovotin është totalisht e pavërtetë.
“Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Vushtrri, gjatë gjithë kohës sa ka qeverisur është munduar me tërë potencialin e saj që rruga Bukosh-Gllavatin, rrugë kjo nacionale dhe jo lokale të futet sa më parë në projektet e qeverisë dhe këtë e ka arritur në vitin e fundit të mandatit të Bajram Mulakut me këmbënguljen e madhe të deputetes së saj, Xhevahire Izmaku. Gjithashtu ‘Ura e Pestovës’ dhe rruga Vushtrri – Nedakoc – Pestovë, si dhe autostrada Stanovc – Mitrovicë, lumi “Podrançe” e shumë projekte të tjera janë të planifikuara nga PDK, e cila ka ndarë dhe mjetet për realizimin e këtyre projekteve”, ka sqaruar PDK-ja. Sipas PDK-së, kryetari aktual i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, deri me tani ka prerë vetëm shiritat e projekteve të cilat janë planifikuar nën qeverisjen e PDK-së.
“Për fat të keq, e gjitha çfarë Xhafer Tahiri mund t’i ofrojë qytetarëve të Vushtrrisë është arroganca, mosbashkëpunimi dhe mungesa e theksuar e vizionit e asesi programi për zhvillimin e qytetit tone”, thuhet në një komunikatë të degës së PDK-së në Vushtrri, dërguar medieve.
Është kundërpërgjigjur dega e LDK-së në Vushtrri, nëpërmes të zëdhënësit të degës, Fadil Bahtiri. Ai ka thenë se është e habitshme se si PDK-ja në Vushtrri nuk po mund ta pranojë humbjen e saj në zgjedhjet lokale të vitit 2017 dhe sukseseve të Tahirit.
Bahtiri tha se kryetari Tahiri është tepër i kujdesshëm në veprimet e tij të cilat i merr si kryetar komune, duke pasur parasysh, siç ka thenë ai, “qeverisjen jo të mirë të PDK-së për 10 vite radhazi”.
Sipas Bahtirit, kryetari i komunës në dy muajtë e parë ka bërë vetëm skanimin e gjendjes së Qeverisë së kaluar dhe aty ka hasur në shumë parregullësi në dhënjen e kontratave, lëshimin e lejeve për ndërtim pa asnjë kriter, shpenzime marramenëse të parasë së qytetarëve të Vushtrrisë, keqmenagjim të kontratave dhe projekteve, shkelje ligjore pothujase në çdo drejtori dhe instuticione tjera komunale, të cilat, siç thotë Bahtiri, kryetari Tahiri i ka vlerësuar të dëmshme për qytetarët e komunës së Vushtrrisë.
“Andaj, kryetari i komunës, Xhafer Tahiri, ka filluar punët me intenzitet të lartë pikërisht për shkak se qytetarët e Vushtrrisë kanë ngecur në shumë projekte madhore që janë jetike për qytetarët dhe qytetin e Vushtrrisë”, tha ai. Zëdhënesi i LDK-së në Vushtrri, thotë se punimet që do të fillojnë në këtë vit në rrugën Bukosh-Gllovotin, bëhen pikërisht për shkak të insistimit të kryetarit të komunës, i cili pandërprerë ka bërë përpjekje tek ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, për të filluar punën sa më parë në këtë vit dhe për këtë është vlersuar lart ministri nga kryetari i komunës në vizitën që e ka bërë ky i fundit në zyren e kryetarit. Eshtë nënshkrimi memorandum i bashkëpunimit në mes të ministrit dhe kryetarit për fillimin e rrugës Bukosh-Gllovotin, Ura në Pestovë, si dhe rruga Vushtrri-Nadakovc-Pestovë dhe autostrada Stanoc-Mitrovicë. Andaj, ne vlerësojmë se projektet fillojnë vetëm atëherë kur ne jemi të gatshëm të realizojmë objektivat tona në inters të qytetarëve e kurrsesi për shkak të ëndrrave dhe dëshirave të PDK-së, që kishin ndodhur për një dekadë”, ka vlerësuar Bahtiri, raporton tutje “Zëri.info”.
Ndryshe, për rrugën Bukosh – Gllavotin deri në Prelluzhë, Ministria e Infrastrukturës së Republikës së Kosovës do të investojë 1.9 milionë euro. Projekti ka qenë dashur të fillojë në vitin 2017, kur Ministria e Infrastrukturës kishte premtuar 800 mijë euro dhe të përfundojë në vitin 2019, por projekti nuk ka filluar të realizohet vitin që shkoi, por pritet të nisë në këtë vit, pasi që paraprakisht ka marrë përkrahje nga ministri Lekaj dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
