Featured
Për çka shkuan zyrtarët e INFRAKOS-it dhe TRAINKOS-it në Angli
Një delegacion nga sektori i hekurudhave të Kosovës ka vizituar depot e mirëmbajtjes së Bombardier, urën e re të Great Central Railway (Hekurudha e Madhe Qendrore) në udhëtimin e tyre më të fundit në Britaninë e Madhe.
Grupi e bëri këtë vizitë për të mësuar se si sektori hekurudhor i Mbretërisë së Bashkuar menaxhon shëndetin dhe sigurinë.
Infrastruktura Hekurudhore e Kosovës “Infrakos” u bashkuan me operatorët e trenave “Trainkos” dhe me grupin Rrregullator të Hekurudhave të Kosovës në një vizitë të organizuar nga Instituti i Sigurisë dhe Shëndetit në Punë (IOSH).
Udhëtimi u zhvillua në mes të 2 dhe 6 tetorit dhe ishte projekti i dytë si pjesë e një partneriteti të krijuar midis IOSH dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në qershor 2016.
BERZH po mbështet përmirësimin e pjesës jugore të asaj që quhet Korridori hekurudhor 10 në Kosovë, i cili lidh kufijtë Kosovë-Serbi dhe Kosovë-Maqedoni.
Sipas IOSH, delegacioni tha se është bërë përparim i konsiderueshëm në reformimin e sektorit hekurudhor të Kosovës, por disa sfida mbeten ende, sidomos në vendet e “kalimit në nivel” (level crossing) që ka kuptimin e kalimit të hekurudhave në rrugë të frekuentuara nga automjete të ndryshme pra krijimin e nën kalimeve ose mbi kalimeve hekurudhore, menaxhimit të kontraktuesve dhe mirëmbajtjes së pistave, të cilat ishin fokusi i vizitës.
“Tani do të jemi në gjendje të zhvillojmë planifikimin strategjik paralel me planifikimin ekonomik dhe industrial në Kosovë. Ne gëzuam mundësinë për të mësuar se si menaxhohet shëndeti dhe siguria në Britani të Madhe. Të jesh në gjendje të flasësh me njerëz të përfshirë në këtë mund të ndihmojë shumë për ta bërë më të sigurt rrjetin tonë hekurudhor.” tha Sefedin Sefaj nga Trainkos.