Aktuale
Për 2.5 kilometra rrugë 400 mijë euro

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri dhe kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri kanë përuruar rrugën e asfaltuar Bare- Gumnishtë, në rajonin e Shalës së Bajgores. Kjo rrugë po ashtu lidh rajonin e Shalës së Bajgores me Komunën e Vushtrrisë. Ministri Lekaj tha se Ministria që ai e drejton është duke bërë punë të mëdha në rregullimin e infrastrukturës rrugore në tërë Republikën e Kosovës, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
“Kjo rrugë ka rëndësinë e vet të jashtëzakonshme, sepse krijon mundësi të mëdha qarkullimi të qytetarëve të rajonit të Shalës së Bajgores me komunat Mitrovicë dhe Vushtrri. Tani qytetarët e këtij rajoni nuk kanë arsye të largohen nga trojet e tyre. Përkundrazi, ata duhet të qëndrojnë aty dhe të merren me punë të bujqësisë e të blegtorisë, si dhe të zhvillojnë degën e turizmit, pasi rajoni është jashtëzakonisht i përshtatshëm për këtë”, tha ministri Lekaj.
Ndërkaq, kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, u shpreh të jetë i kënaqur me ndërtimin e kësaj rruge dhe me lidhjen e fshatrave të këtij rajoni mes vete, të cilat u takojnë komunave Mitrovicë dhe Vushtrri. Ai tha se është i bindur se turizmi në këtë rajon tani e tutje do të ketë nxitje më të mëdha dhe se do të ketë projekte të shumta që do të realizohen.
Edhe kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se është mirë që po investohet në rregullimin e infrastrukturës rrugore nëpër fshatra, sepse investimet e këtilla kanë rëndësi të shumëfishta. Ato përveçqë ndalojnë migrimet e qytetarëve, mundësojnë dhe zhvillim më të hovshëm ekonomik dhe mundësi për mirëqenie më të mirë të qytetarëve.
Kryetari Tahiri ka ndarë shqetësimin e dy komunave lidhur me zgjerimin e rrugës në Vushtrri, ndërsa ministri Lekaj i ka siguruar dy kryetarët se tashmë janë
kontraktuar tri kompani dhe se së shpejti do të gjendet zgjidhja dhe punimet do të vazhdojnë sipas projektit dhe planit të paraparë.
Ministri Lekaj dhe kryetarët Bahtiri e Tahiri i vlerësuan mirë punimet që janë bërë në rrugë, të cilat i ka kryer kompania “Shkoza F 07”, me pronar Selajdin Bytyqi. Rruga është e gjatë 2.5 kilometra, ka dy shtresa të asfaltit dhe ka kushtuar rreth 400.000 euro, të investuara nga Ministria e Infrastrukturës dhe nga të dyja komunat.
